1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030611 Türkei Wahlen

12 Qershor 2011

Nga euforia evropiane e gjashtë viteve më parë, kur filluan bisedimet e pranimit, nuk ka mbetur shumë në Turqi. Procesi i pranimit në BE është futur në qorrsokak. BE nuk është më prioritet për publikun turk.

Me temën e BE-së nuk mund të fitohen vota në Turqi
Me temën e BE-së nuk mund të fitohen vota në TurqiFotografi: picture-alliance/dpa

Sa më shumë që afron dita e zgjedhjeve, 12 qershori, aq më të zhurmshme bëhen mitingjet elektorale të partive që shpresojnë të futen në parlamentin turk. Toni i udhëheqësve politikë është shumë i lartë. Akuzat që partitë i bëjnë njëra - tjetrës janë përqëndruar më shumë tek korrupsioni, shkeljet e bëra në provimet universitare ose videoja e shpërndarë nëpërmjet Youtube e udhëheqësve të partisë ekstremiste të djathtë, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) e Devlet Bahceli. Asnjë nga partitë nuk e përmend BE-në, dhe nuk thotë se pranimi në BE është prioriteti më i lartë i politikës së jashtme turke.

BE nuk është më prioritet për publikun turk.Fotografi: AP

Sekretarja e Përgjithshme e fondacionit të specializuar për çështjet ekonomike në Stamboll, Cigdem Nas, e shpjegon këtë me mungesën e perspektivës evropiane të partive: "Ne shohim se publiku turk ka humbur interesin në temën e BE-së, po ashtu si dhe në përpjekjet e pranimit, të cilat janë futur në qorrsokak. Ne shohim se në fushatën elektorale, BE nuk trajtohet si temë prioritare. Mbase kjo ka të bëjë me mungesën e perspektivës evropiane në programin e zgjedhjeve si të qeverisë ashtu edhe të opozitës. Por, këto probleme nuk sjellin vota në zgjedhjet parlamentare."

Bisedimet e pranimit janë futur në qorrsokak kryesisht për shkak të konfliktit të Qipros. Si pasojë publiku turk ka humbur besimin tek BE. Në sfond luan një rol perceptimi i turqve se presidenti francez Nicolas Sarkozy, i përkrahur nga kancelarja gjermane Angela Merkel kryesojnë një front anti-turk.

Edhe partia në pushtet, ajo për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nuk kanë thënë asnjë fjalë në fushatën elektorale për BEFotografi: AP

Kryetarja e fondacionit Turqi-Evropë, Ziya Müezzinoglu, bën përgjegjëse paragjykimet e të dy palëve për zbehjen e vendosmërisë së Turqisë për pranim në BE: "Nga njëra anë ne shohim se në shumë vende të BE-së, ekzistojnë paragjykime kundër Turqisë, të cilat nuk janë kapërcyer ende. Por edhe në disa rrethe në Turqi ekzistojnë paragjykime ndaj BE-ë. Kështu BE shihet si klub i krishterë. Nga ana tjetër, disa vende i futën bisedimet e pranimit në qorrsokak, duke përdorur si argumente në konfliktet e politikës së brendshme ndryshimet kulturore dhe fetare me Turqinë."

Edhe partia në opozitë, Partia Republikane (CHP) e Kemal Kilicdaroglu e ka në programin zgjedhor temën e BE-së, por për të nuk flitet në fushatëFotografi: AP

Ndërkohë që këto bisedime pranimi janë ndërprerë, Turqia po përpiqet të marrë rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Kryengritjet në vendet arabe e kanë rritur rëndësinë e Turqisë.

Autor: Hülya Köylü / Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora