BE bie dakord për zgjatjen e Brexitit në fund të janarit
28 Tetor 2019Sipas Presidentit të Këshillit të BE, Donald Tusk, shtetet e BE kanë rënë dakord për një shtyrje të Brexitit deri në fund të janarit. Vendimi mund të zbatohet edhe formalisht përmes një procedure me shkrim, pa pasur nevojë për një takim të nivelit të lartë të BE-së. Kjo shtyrje është konceptuar në mënyrë elastike dhe lejon edhe një dalje më të hershme, shkroi Tusk në Twitter.
Tani e ka radhën parlamenti britanik të veprojë
Deri tani ishte parashikuar që anëtarësimi i Londrës në BE të merrte fund të enjten në mesnatë. Por kryeministrin Boris Johnson, të njohur si mbështetës i vijës së ashpër, Dhoma e Ulët e parlamentit britanik e detyroi të kërkojë një zgjatje prej tre muajsh në Bruksel. Njëkohësisht, Johnsoni dëshiron të mbajë zgjedhje të reja në dhjetor. Për këtë sot pasdite do të votojë parlamenti britanik.
Jeremy Corbyn dëshiron të largohet vetëm me marrëveshje nga BE
Kohët e fundit, Johnson nuk ka pasur më shumicë në parlament dhe i është dashur të luftojë për çdo votë në mosmarrëveshjen për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Mbretëria e Bashkuar. Për të arritur zgjedhje të reja, Johnson ka nevojë për një shumicë votash prej dy të tretash - pra ka nevojë edhe për ndihmën e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Laburiste. Kryetari i Laburistëve, Jeremy Corbyn e ka bërë të qartë se partia e tij nuk do t'i pengojë zgjedhjet e reja, sapo të mos jetë më në tryezë një Brexit pa marrëveshje. Ai ka deklaruar se dëshiron të presë vendimin të Brukselit, për zgjatjen e afatit të Brexit-it.
Kryesorja jo kaos
Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk rekomandoi së fundi që 27 vendet e BE të pajtohen me propozimin britanik dhe të shmangin një dalje kaotike të BE këtë javë. Po të ndodhë një dalje pa marrëveshje e Britanisë nga BE, priten trazira të mëdha për ekonominë, pasiguri për qytetarët dhe madje edhe mungesa të furnizimit.
Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE ishte planifikuar fillimisht për në datën 29 mars, por u shty dy herë në pranverë. Një pengesë për vonesën aktuale është se Britanisë i duhet përsëri të caktojë një kandidat për Komisionin e ri të BE. Ekipi rreth Presidentes së Komisionit të ri, Ursula von der Leyen mund të fillojë punën më 1 dhjetor.
aud/bri/haz (dpa, twitter)