1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Twitter: Elon Musk i vë platformës emrin "X"

24 Korrik 2023

Elon Musk zëvendësoi logon e zogut blu të Twitter-it me një X të bardhë dhe nisi një riemërtim të madh për gjigantin e mediave sociale. Musku tha se tweet-et tani do të quhen "x"-e.

Neues Twitter Logo
Fotografi: Nikolas Kokovlis/NurPhoto/picture alliance

Shërbimit të mesazheve të shkurtra Twitter i kanë vënë tani emrin e ri X dhe i kanë ndryshuar logon e tij. "Ja ku është X! Le të vazhdojmë punën", shkroi mbrëmë në Twitter shefja e kompanisë Lina Yaccarino. Dhe pronari i Twitter-it, Elon Musk e ka ndryshuar tashmë foton e tij të profilit në një X të bardhë me një sfond të zi.

Musku kishte lënë të kuptohet më parë se ai do të përshpejtonte transformimin e planifikuar të Twitter në një aplikacion shumëfunksional. "Së shpejti do t'i themi lamtumirë markës Twitter dhe, pak nga pak, të gjithë zogjve," tha ai të shtunën në mbrëmje. Deri tani, logoja e Twitter-it përbëhej nga një zog blu në një sfond të bardhë. Njerëzit që shkruajnë adresën e internetit www.x.com janë ridrejtuar tani në faqen e internetit të Twitter-it.

Fotografi: Gonzalo Fuentes/REUTERS

Modeli i ri i aplikacionit dhe abonimit

Duke ndryshuar emrin, Musku ka hequr dorë nga një markë 15 vjeçare e cila gëzonte famë globale dhe vlerë të lartë identifikimi. Multimiliarderi Musk e bleu Twitter tetorin e kaluar për rreth 44 miliardë dollarë dhe pushoi shumë punonjës.

Në pranverën e këtij viti, ai e transferoi shërbimin online në një kompani të re të quajtur X Corp. Ai më tej njoftoi një aplikacion të ri i cili do të veprojë gjithashtu si një shërbim pagese dhe treg online. Musk gjithashtu po investon më shumë në biznesin e abonimeve.

Qarkullim i përgjysmuar

Ekonomikisht, gjërat nuk po duken mirë për Twitter-in tani: Musku kohët e fundit pranoi se të ardhurat e Twitter-it nga reklamat janë përgjysmuar që nga marrja e tij. Kjo në një kohë kur të ardhurat nga reklamat kanë qenë tradicionalisht burimi qendror i financimit për shërbimin. Disa reklamues të mëdhenj u larguan nga shërbimi sepse kishin frikë nga një mjedis negativ për markat e tyre nën Musk-un, i cili reduktoi moderimin e përmbajtjes së transmetimit. Përveç kësaj, problemet teknike janë shumëfishuar së fundmi.

Për të siguruar reklamuesit Musku i bëri thirrje Linda Yaccarinos, një menaxhereje me përvojë e cila më parë ishte përgjegjëse për aktivitetet e reklamimit në gjigantin mediatik NBCUniversal, të marrë drejtimin e Twitter-it.

rtr/dw/tgsch