U arrit Bashkimi Bankar për BE
21 Mars 2014"Ne thyem rekordin tonë", thotë e lodhur, por e kënaqur, pas 16 orë negociatash, me përfaqësues të Këshillit të Ministrave, pra të shteteve anëtare të BE dhe të Komisionit Evropian, eurodeputetja gjermane Corien Wortmann-Kohl. Pas negociatave të forta, u miratua pjesa vendimtare e Bashkimit Bankar evropian: një fond likuidimi për bankat problematike dhe një autoritet i ri, i cili do të vendosë për mbylljet e bankave. Fondi i likuidimit të bankave do të ndërtohet më shpejt nga planifikimi, në tetë në vend të dhjetë vjetëve. Bankat vetë do të paguajnë 55 miliardë euro në fondet e shpëtimit. Për vendimin, nëse dhe kur do të mbyllet një bankë, impulsin më të rëndësishëm do ta japë Banka Qendrore Evropiane. Tek BQE në Frankfurt është edhe mbikqyrja për sjelljen financiare dhe rreziqet e bankave më të rëndësishme të mëdha në Evropë.
Likuidim i shpejtë i bankave problematike
Likuidimi i një banke do të vendoset pastaj nga bordi menaxhues dhe nga asambleja e përgjithshme e autoritetit të ri likuidues. Këshilli, pra ministrat e financave të shteteve anëtare do të kenë vetëm të drejtën e kundërshtimit. Fondi i Likuidimit të Bankave do t'i kalojë gradualisht komunitetit, pra nga përgjegjësia nacionale do të kalojë në administrim evropian. Fondi mund të marrë vetë kredi, për ta rritur vëllimin. Por përpara se Fondi të paguajë, do të kërkohet që të paguajnë pronarët e bankave, kreditorët dhe investorët e mëdhenj. Vetëm në fund fare të vargut të përgjegjësisë do të jenë shtetet, pra takspaguesit.
Schäuble i kënaqur
Bazë juridike për këtë pjesë të Bashkimit Bankar mbetet një marrëveshje e posaçme midis 28 shteteve anëtare të BE, e cila nuk është pjesë e së drejtës evropiane. Veçanërisht Ministri gjerman i Financave, Schäuble nguli këmbë për këtë zgjidhje ndërshtetërore. Gjithçka tjetër do ta ndalonte Gjykata Kushtetuese gjermane, tha Schäuble. Në vendime, që kushtojnë shumë para, përgjegjësia duhet të mbetet tek Bundestagu, pra tek parlamentet nacionale, tha Schäuble.
Shtylla e parë e Bashkimit Bankar, mbikqyrja mbi 128 bankat më të rëndësishme do të fillojë nga puna në nëntor 2014. Më parë do të jetë kryer një test i bankave, për të konstatuar rreziqe të fshehura. Në vitin 2016 do të hyjë pastaj në fuqi Mekanizmi i Likuidimit Bankar (SRM), për të cilin u ra dakord të enjten (20.03.2014). Shtylla e tretë e Bashkimit Bankar do të ishte një garantim reciprok i kursimeve në Evropë. Por në këtë pikë, shtetet evropiane kanë ende qëndrime të ndryshme.