1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UEFA: Serbi-Shqipëri 3:0, por pa pikë për Serbinë

Bahri Cani24 Tetor 2014

UEFA vendosi që ndeshja e ndërprerë Serbi-Shqipëri të regjistrohet me rezultat zyrtar për Serbinë. Janë shqiptuar dhe denime të rënda për palët. Vendimi ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të mëdha

Fußballspiel Belgrad Albanien Serbien Ausschreitungen Drohne
Fotografi: Reuters/Marko Djurica

Ndeshja e ndërprerë Serbi-Shqipëri do të regjistrohet me rezultat 3:0 për Serbinë, me argumentimin se kombëtarja shqitpare ka refuzuar ta vazhdojë lojën. Por për shkak të organizimit të dobët, futjes së shikuesve në fushë, hedhjes së mjeteve piroteknike dhe përdorimin e lazerëve, Serbisë i zbriten tri pikëve. Dy ndeshjet e ardhshme, Serbia si nikoqir në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin e ardhshëm Evropian, do t'i luajë pa praninë e shikuesve. Ndërkohë që Federata e Futbollit të Serbisë si dhe ajo e Shqipërisë dënohen me nga 100.000 euro gjobë.

Shkaqet e ndërprerjes së ndeshjes

Ndeshja Serbi - Shqipëri, e zhvilluar në stadiumin "Partizani" në Beograd më 14 tetor, u ndëpre në minutën 42, pas ngritjes në stadium të një droni me një flamur ku ishte skicuar harta e "Shpipërisë së madhe". Pas përplasjes së lojtarëve në rreth këtij flamuri, në fushë u futën edhe tifozët, të cilët së bashkë me personelin e rutjes së rendit u përfshinë sulmet e dhunshme ndaj lojtarëve shqiptarë. Pas disa minutash ndërprerjeje, ekipit shqiptar iu kërkua kthimi në fushë, por ata refuzuan duke argumentuar, se nuk ekzistojnë kushte normale për vazhdimin e lojës. Kombëtarja, himni shqiptar dhe të gjithë shqitparët, janë ofenduar gjatë ndeshjes edhe me thirrjet: "Vrit e prejë, që të mos mbetet asnjë shqiptar". Ndërprerja e ndeshjes u bë shkas edhe për acarimin e raporteve mes Beogradit dhe Tiranës. Tensioni u rrit në masë prej deklaratave të pamatura, si ajo e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili tha se "shqiptarëve do t'u duhen edhe disa shekuj të për të arritur nivelin e civilizimit të popujve të tjerë". E gjitha kjo rezultoi edhe me shtyrjen e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd, e cila ishte planifikuar më 23 tetor.

Fotografi: Reuters/Marko Djurica

Reagimet e palëve

Shpjegimet zyrtare të Komisionit Disiplinor të UEFA-s do t'u dërgohen palëve brenda pesë ditësh. Por që tani vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra si në Tiranë ashtu edhe në Beograd. Krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë bërë të ditur se do të ankohen ndaj këtij vendimi, sepse e konsiderojnë plotësisht të padrjetë. "Vendimi është i habitshëm dhe i papranueshëm. Ne do të akohemi", ka bërë të ditur Federata shqiptare. Si një vendim të padrejtë ndaj Shqipërisë e ka quajtur këtë vendim edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Ndërsa traineri i kombëtare shqiptare De Biazi u shpreh i dëshpëruar ndaj vendimit të UEFA-s. "Jam i dëshpëruar me këtë vendim të padrjetë. E kuptoj Komisionin, por për ne është shumë e vështirë ta pranojmë një vendim, sipas të cilit ne kemi humbur në të gjitha fushat. Kemi humbur madje edhe atë që e kemi arritur në fushë", kumtoi ai.E pakënaqur me këtë vendim është edhe pala serbe. Federata e Futbollit të Serbisë mbanë sot një seancë urgjente, ku do të vendoset për hapat e mëtejshëm.

Fotografi: Reuters/Arben Celi

Reagimet në mediat perëndimore

Mediat evropiane janë shprehur të habitura me vendimin UEFA-së, sipas së cilit Serbia e fiton ndeshjen e ndërprerë në Beograd. Ndeshja skandaloze regjistrohet në favor të Serbisë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA, duke shtuar se janë dënuar të dyja palët. Shumë më e ashpër është "Toscana News" me shkrimin "UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin”. Televizioni Britanik ITV raporton se "Serbia shpërblehet me fitore”. Ndërsa mediat kroate shkruajnë se

“UEFA tregohet e butë me serbët”. Më në fund rrjeti BBC pohon se “Serbia shpërblehet me fitore për dhunën në ndeshje të Euro 2016”.