Ukrainë: Disa të vdekur pas një sulmi me raketa ndaj Kievit
2 Qershor 2023![Kiev: Godina rezidenciale e goditur nga raketat ruse (01.06.2023)](https://static.dw.com/image/65789100_800.webp)
"Në lagjet Dniprovski dhe Desnjanski sipas të dhënave të mjekëve ka 14 të plagosur, nëntë prej tyre duhet të trajtohen në spital", vuri në dukje krabashkiaku Vitali Klitçko në kanalin e tij në Telegram. Sipas të dhënave të administratës ushtarake kryeqyteti i Ukrainës u sulmua në orën 3:00 sipas orës lokale. Ndonëse predhat e lëshuara nga raketat e instaluara tokësore u goditën prej mbrojtjes kundërajrore, pjesët e tyre kanë shkaktuar viktima dhe dëme.
300 fëmijë nga Belgorod u dërguan në vende të sigurta
Pas goditjeve të përsëritura autoritetet ruse në rajonin kufitar Belgorod reaguan. "Sot do të dërgohen në vende të sigurta në Voronesh 300 fëmijët e parë", njoftoi guvernatori Vjatçslav Gladkov në Telegram. Fëmijët dhe të rinjtë, sipas të dhënave të tij janë nga distriktet Shebekino dhe Graivoron. Voronesh ndodhet rreth 250 km në veri-lindje dhe në këtë mënyrë larg nga kufiri i Rusisë me Ukrainën. Ky vendim është marrë në sfondin e "situatës në përkeqësim" deklaroi Gladkov. Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti njoftoi më vonë, se në Voronesh kanë mbërritur autobusë me rreth 150 pasagjerë.
Të martën (30.05.2023) u vra një person me gjasë nga një sulm ukrainas ndaj një qendre distribuimi në rajon. Natën e së mërkurës (31.05.2023) Shebekino, sipas të dhënave të Gladkov u godit sërish nga një raketë. Si pasojë u plagosën katër vetë. Në rajonin Belgorod javën e kaluar depërtuan milicë të armatosur nga Ukraina dhe kryen sulme. Qysh atëherë kanë goditur me artileri të rëndë dhe me dronë disa zona në afërsi të kufirit.