1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Ukrainë: Gjykata e OKB pranon kryesisht akuzën kundër Rusisë

3 Shkurt 2024

Gjykatësit ndërkombëtarë hapën rrugën në masë të madhe për procedurën kryesore gjyqësore kundër Rusisë. Vendimi pro Ukrainës do të kishte vlerë të madhe simbolike, por gjykata nuk ka instrumente për t'i zbatuar vendimet.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës - gjykatësit ulur në radhë duke folur për vendimin
Gjykata Ndërkombëtare e HagësFotografi: Sem van der Wal/ANP/picture alliance

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka pranuar në masë të madhe trajtimin e aktakuzës së Ukrainës kundër Rusisë dorëzuar në gjykatë pak pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022. Gjykata ka hedhur poshtë në masë të madhe një pretendim të Moskës, sipas të cilit kjo gjykatë nuk ka kompetenca për çështje të tilla. Nga ana tjetër gjykatësit nuk pranuan një akuzë të Ukrainës, se Rusia me sulmin e saj shkel konventën e OKB-së për gjenocidin, sepse në këtë pikë gjykata nuk e sheh veten përgjegjëse.

Presidenti rus, Putin e justifikoi marshimin e ushtarëvë të tij në Ukrainë me argumentin se popullsia ruse në lindje të Ukrainës është e ekspozuar ndaj "keqtrajtimeve dhe një gjenocidi nga regjimi i Kievit". Pak më vonë Ukrainë dorëzoi aktakuzën kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare, ku e hedh poshtë "me forcë" këtë akuzë, dhe kërkon që gjykata të vërtetojë, se Kievi nuk ka planifikuar dhe nuk ka kryer gjenocid. Fakti që Rusia përdor akuzën e gjenocidit si pretekst është shkelje e konventës së OKB-së të vitit 1958, thuhet nga pala ukrainase.

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë - përfaqësues të UkrainësFotografi: Sem van der Wal/ANP/picture alliance

Ukraina mbështetet nga 32 aleatë perëndimorë

Që në mars 2022 Gjykata Ndërkombëtare kërkoi nga Rusia në një vendim të ndërmjetëm që të ndalë menjëherë pushtimin. Por "konflikti i armatosur" vazhdon deri më tani, deklaroi gjykata. Me vendimin e së premtes (02.02) hapet rruga për procedurën kryesore, e cila mund të zgjasë tre vite. Ukraina mbështetet në Gjykatën Ndërkombëtare nga 32 aleatë perëndimorë, mes tyre Gjermania.

Sipas ekspertëve një vendim i detyrueshëm në favor të Ukrainës do të kishte një vlerë të lartë simbolike. Megjithatë Gjykata Ndërkombëtare e OKB-së nuk ka mjete për të detyruar shtetet që të zbatojnë vendimet e saj. Dy ditë më parë Gjykata Ndërkombëtare nuk pranoi në shumë pika një akuzë të Kievit kundër Moskës, duke e liruar Rusisë nga akuza, se ka financuar terrorizmin në lindje të Ukrainës, e me këtë ka shkelur detyrimet e së drejtës ndërkombëtare. Gjykata argumentoi, se ujdia ndërkombëtare për luftimin e financimit të terrorizmit përfshin vetëm transfertat në para dhe furnizimet me armë. Pretendimet e Ukrainës ndaj Rusisë për furnizime me armë të grupeve të caktuara në Ukrainë nuk mbulohen kështu nga konventa.

 

 

la/jj/kle (dpa, afp, rtr)

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë