Ukrainë: OJQ-të ndihmojnë për dokumentimin e krimeve ruse
25 Mars 2023Që nga koha ku Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit të kaluar, autoritetet ukrainase kanë regjistruar mbi 75,000 krime lufte të kryera nga forcat e armatosura ruse. Hetues dhe prokurorë ukrainas si dhe njësi hetuese ndërkombëtare, po përpiqen me forcë për të siguruar prova dhe për të intervistuar dëshmitarët. Por vëllimi i krimeve është aq i madh sa mund të duhen dekada për t'i nxjerrë shumicën e autorëve në bankën e të akuzuarve.
Mbi 30 OJQ ukrainase po i mbështesin hetimuesit si pjesë e Koalicionit Ukraina 5AM, që u formua vitin e kaluar. Qëllimi i aleancës është t'u japë zë viktimave viktima të agresionit të armatosur të Rusisë dhe të sjellë para drejtësisë autorët e drejtpërdrejtë të krimeve të luftës, si dhe udhëheqjen e lartë të Federatës Ruse. Disa nga organizatat e këtij koalicioni i kanë nisur hetimet që kur Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014. Tani ata po ndajnë përvojën e tyre me kolegët e tyre të shoqërisë civile si dhe me përfaqësuesit e organeve hetuese.
Mbledhje dëshmish nga dëshmitarë okularë
"Asnjë vend nuk ka qenë kurrë në gjendje të përgatitet për të ndjekur penalisht të gjitha krimet e luftës. Deri në vitin 2014 as Ukraina nuk e kishte një përvojë të tillë prandaj shoqëria civile nisi të veprojë," thotë Roman Avramenko, drejtor ekzekutiv i organizatës së të drejtave të njeriut "Truth Hounds".
Ai tregon se partneriteti mes hetuesve zyrtarë dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut po shkon mirë. OJQ-të kanë krijuar linja telefonike për mbledhjen e dëshmive të dëshmitarëve okularë, si dhe mbledhjen e provave në terren. Po ashtu hetuesit ukrainas kanë trajnuar aktivistët për të identifikuar krime lufte.
Tetiana Pehonhyk nga Qendra e Informacionit e Ukrainës për të Drejtat e Njeriut (ZMINA), thotë se dëbimet e detyruara janë një shembull krimesh lufte që në shikim të parë nuk konsiderohej si i tillë as nga hetuesit dhe as nga aktivistët. "Në misionet e saj në terren, ZMINA ka regjistruar 233 raste dëbimesh, për shembull nga fshatrat në rajonin e Kharkivit përgjatë kufirit me Rusinë." - sqaron Tetiana Pehonhyk. Dëbimet ishin kamufluar si masa evakuimi.
Autor: Ihor Burdyga