1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukrainë - Përkeqësohet situata e të drejtave të njeriut

Claudia Witte / Vilma Filaj-Ballvora19 Qershor 2014

Shpresa se pas zgjedhjeve presidenciale gjendja në Ukrainë do të shtensionohej ende nuk është përmbushur.

Në pjesë të Ukrainës lindore, situata e të drejtave të njeriut është përkeqësuar gjatë javëve të fundit. Shpresa se pas zgjedhjeve presidenciale gjendja do të shtensionohej ende nuk është përmbushur. Madje separatistët e armatosur po krijojnë një klimë kërcënimesh dhe frike, prej së cilës po vuajnë gjithnjë e më shumë njerëz. Ky është përfundimi i raportit të ri për Ukrainën i Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut. "Përshkallëzimi i veprimtarisë kriminale që çon në shkeljen e të drejtave të njeriut, nuk drejtohet më vetëm kundër gazetarëve, përfaqësuesve të zgjedhur apo politikanëve vendas, por tani ndikon në segmente të mëdha të popullsisë," thotë Gianni Magazzeni, shefi i sektorit për Amerikën, Evropën dhe Azinë Qendrore në Komisionin e Lartë të Gjenevës. "Fjala është për rrëmbime, burgosje, keqtrajtime, tortura dhe vrasje nga grupe të armatosura."

Gianni MagazzeniFotografi: DW/C. Witte

Dhunë ndaj popullsisë civile

Në 58 faqe raporti rendit pikë për pikë, se çfarë ka ndodhur në periudhën 7 maj - 7 qershor në Ukrainë. Prej konfliktit të dhunshëm në rajonet e Donetsk dhe Luhansk kanë gjetur vdekjen gjatë kësaj periudhe 356 vetë. 257 prej të vrarëve ishin civilë, përfshirë dhe 14 fëmijë.

Në rend të ditës janë dhe rrëmbimet dhe arrestimet. Raporti i të drejtave të njeriut numëron 222 raste rrëmbimesh. 81 njerëz konsiderohen të zhdukur dhe sot e kësaj dite, katër janë vranë dhe 137 janë lëshuar sërish. Këta u kanë treguar vëzhguesve se ndaj tyre ishte ushtruar dhunë dhe tortura.

Ftesë për bisedime

Raporti përfundon me rekomandime konkrete se si mund të shtensionohet situata. Kërkesa kryesore është që të gjitha palët të ulen së bashku në tryezën e bisedimeve dhe të fillojnë një dialog. Gianni Magazzeni i drejtohet direkt Kievit: "Ne shpresojmë se qeveria e re e presidentit Petro Poroshenko do t'i ketë si prioritete respektimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ishin shkaku kryesor i përleshjeve të dhunshme në Maidan nga nëntori në shkurt."

Qeveria e Ukrainës e përshëndeti raportin për të drejtat e njeriut. Yuri Klymenko, ambasadori i Ukrainës në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, tha: "Ne e marrim shumë seriozisht këtë raport dhe rekomandimet që përfshihen aty." Ukranina do t'i analizojnë në thellësi rekomandimet - me qëllimin për t'i zbatuar ato.