Ukrainë: Sulmet më të rënda ajrore që nga fillimi i luftës
30 Dhjetor 2023Sipas njoftimeve nga Kievi,Rusia ndërmori sulmet më të rënda ajrore ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës. Prej sulmeve të raketave ndaj disa qyteteve janë vrarë të paktën 30 vetë dhe janë plagosur më shumë se 140 të tjerë, tha prokurori i përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin. Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Ukrainase, Valeri Zalushni, tha se Rusia kishte lëshuar 122 raketa të llojeve të ndryshme si dhe 36 dronë. Mbrojtja kundërajrore kishte arritur të shkatërronte rreth 70 për qind të tyre.
Njoftohet se sulmi u zhvillua në disa intervale nga drejtime të ndryshme duke përdorur edhe avionë bombardues strategjikë. Zëdhënësi i Forcave Ajrore, Juri Ihnat, tha në televizion se Rusia kishte përdorur jo vetëm drone të prodhimit iranian, por edhe raketa lundruese si dhe raketa hipersonike dhe balistike.
Kiev, Lvov, Kharkiv, Dnipro, Odesa ...
Alarme ajrore pati në të gjithë vendin. Njoftime për dëme erdhën nga kryeqyteti i Ukranës, Kievi, por edhe nga Lvivi në perëndim, Kharkivi në verilindje, Dnipro në lindje si dhe nga jugu, Zaporizhia dhe qyteti port i Odesës në Detin e Zi. Sipas administratës ushtarake lokale vetëm në Dnipro u vranë të paktën pesë civilë. Siç njoftoi Ministria e Energjisë në katër rajone në veri dhe jug të Ukrainës ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Presidenti Volodimir Zelenski shkroi në Telegram se kishte pasur dëme të konsiderueshme në sektorin civil, si për shembull, një maternitet, institucione arsimore, një qendër tregtare dhe shumë shtëpi private. Zelenski tha se Ukraina do të përgjigjet. Deklaratat e tij ai mbështeti me një video në të cilën shihet një qendër tregtare e shkatërruar plotësisht.
Poloni: Një raketë ruse shkel hapësirën ajrore
Ndërkohë Varshava bën të ditur se ka shumë të ngjarë që një raketë ruse ka shkelur mëngjesin e së premtes (29.12) hapësirën ajrore të Polonisë. "Gjithçka të bën të mendosh se një raketë ruse ka hyrë në hapësirën ajrore polake”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm Wieslaw Kukula për gazetarët në Varshavë. Raketa u pikas me ndihmën e radarit dhe u largua menjëherë nga hapësira ajrore polake drejt Ukrainës. Sipas informacioneve të mëtejshme raketa kishte fluturuar në hapësirën ajrore polake për rreth tri minuta dhe kishte përshkruar mbi 40 kilometra.