1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Ukrainë: Tragjedia në digën e shkatërruar Kahovka

7 Qershor 2023

Pas çarjes së digës në hidrocentralin Kahovka ujërat po vërshojnë në drejtim të rrjedhës së lumit Dnipro drejt fshatrave përreth dhe qytetit Kerson. Ekspertët paralajmërojnë nga rreziku i shpërthimit të minave ruse.

Kherson
KhersonFotografi: picture alliance/dpa/AP

"16 porta të digës, godina e hidrocentralit dhe diga mes ndërtesave janë shkatërruar. Hidrocentrali nuk mund të rindërtohet", i tha DW-së Ihor Syrota, drejtor i Shoqërisë Aksionare Ukrhydroenergo, që është pronare e këtij kompleksi.

Pala ruse pretendon, se centrali është shkatërruar pjesërisht nga goditjet ukrainase. Si rrjedhojë e shkatërrimit, sipas të dhënave të qeverisë ukrainase, rrezikohen të përmbyten deri në 80 zona. Hidrocentrali Kahovka u pushtua në ditën e parë të invazionit rus më 24 shkurt 2022. Në tetor 2022, sipas të dhënave të shërbimit sekret ukrainas ai u minua tërësisht nga ushtria ruse.

"Ne po merremi me evakuuimin e banorëve të zonave të përmbytura. Ndërkohë qarku Ostriv i qytetit Kerson po evakuohet", deklaroi për platformën e lajmeve Telegram kryeministri Denys Shmyhal. Sipas tij janë vënë në dispozicion për evakuuimin trena të posaçëm për në Mykolajiv.

Nova KahovkaFotografi: AP/Libkos

Pamjet e para nga sateliti të digës së shpërthyer

Sipas të dhënave të mbrojtjes nga katastrofat deri në orën 16:00 sipas orës lokale janë evakuuar 1300 vetë nga forcat e shpëtimit, policia dhe forcat vullnetare. Në bregun e djathtë të lumit Dnipro në rajonin Kerson, që ndodhet nën kontrollin e forcave ukrainase, gjendja nuk është kritike, sepse këto territore ndodhen më në lartësi në krahasim me zonat në bregun e majtë të lumit.

Evakuim pas përmbytjes, KahovkaFotografi: Aleksey Filipov/AFP

Qytetet dhe fshatrat rrezikohen nga minat

Ndërkaq autoritetet ukrainase paralajmërojnë nga rreziku i minave që mund të depërtojnë përmes ujërave në zonat e vërshimit. "Barrikadat ndaj minave, që armiku i ka vendosur në bregun e majtë të lumit, janë shkatërruar. Shpërthimi i pakontrolluar i minave mund të rrezikojë të gjithë hapësirën përgjatë shtratit të lumit", tha në televizionin ukrainas, Natalja Humenjuk, zëdhënëse e forcave të mbrojtjes në jug.

Volodymyr Kovalenko, kryetar bashkie i Novaja Kahovka, që ndodhet vetëm pesë km nga hidrocentrali dhe nën pushtimin rus, tha, se qyteti do të përfshihet shpejt nga vërshimet. "Shkatërrimi nga masa e ujit është i madh", tha ai në mediet ukrainase.

Sipas tij stacioni i anijeve, klubi i jahteve, kopshti zoologjik i qytetit dhe parku janë përmbytur. Meqënëse qyteti është i pushtuar nga forcat ruse, është e vështirë të merret informacion, e po ashtu edhe lidhja përmes internetit është shkatërruar.

Forcat ruse në pjesën e pushtuar të rajonit Kherson pretendojnë, se nuk ka rrezik për banorët e zonave në brigjet e Dnipros. "Sipas të dhënave të mbrojtjes nga katastrofat rritja e nivelit të ujit është dy deri në katër metra nën kaskadën e hidrocentralit, gjë që nuk i rrezikon zonat e mëdha në drejtimin e rrjedhës së lumit", shkruan i ashtuquajturi "kreu i qeverisë" të pjesës së pushtuar nga ursët në rajonin Kerson.

Ekspertët druajnë për mungesë të ujit të pijshëm

Sipas parashikimeve të fundit të shoqërisë menaxhuese Ukrhydroenergo uji nga diga gjatë katër ditëve në vijim do të derdhet tërësisht në Dnipro. Volumi i ujit të digës është rreth 18 miliarde metër kub. Sipas ekspertëve kjo mund të ketë pasoja katastrofike për rajonin.

"Diga Kahovka do të zbrazet shumë shpejt. Pasoja do të jetë tokë e tharë me baltë dhe faunë e florë e shkatërruar. Po ashtu mund të ketë edhe mungesë të ujit të pijshëm dhe thatësirë në të gjithë rajonin në jug të Ukrainës, që furnizohet me ujë nga kjo digë", i tha DW-së drejtori i Qendrës Kombëtare të Ekologjisë në Ukrainë, Ruslan Havryljuk.

KhersonFotografi: Libkos/AP/dpa