1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina 2015: Shpresa dhe frikë

Kitty Logan2 Janar 2015

2014 ka qenë viti më i vështirë për Ukrainën që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, thotë Presidenti Poroshenko. Edhe në vitin e ri situata në Lindje mbetet e tensionuar dhe ekonomia ndodhet në krizë.

Ne tregun e Krishtlindjeve ne Kiev
Fotografi: DW/K.Logan

Tregu i Krishtlindjeve në Kiev ndodhet nën hijen e Katedrales së Sofisë, simbolit të famshëm të qytetit. Sheh vajza me kostum Krishtlindjeje dhe tregtarë që sheshin gjellë tradicionale dhe pije të nxehta - në temperaturat nën zero ato janë një burim i mirëpritur ngrohjeje. Kudo ukrainasit gëzohen që festojnë Vitin e Ri dhe pak më vonë Krishtlindjet Ortodokse. Sepse viti 2014 u solli pak gjëra që t'i gëzonin.

"Ky vit qe një pikë kthese, viti më i vështirë për vendin që prej 75 vjetësh, që prej vitit 1945," tha Presidenti Petro Poroshenko në konferencën e tij vjetore të shtypit. "Ishte një vit i vështirë për të gjithë, për Ukrainën, për Evropën dhe për gjithë botën."

Bisedimet e paqes kanë ngecur

Viti me turbullira në Ukrainë nisi kur revolucioni i Maidanit ishte në kulmin e tij. Fitorja e protestuesve në shkurt u shoqërua me një shije të hidhur. Shumë njerëz e humbën jetën dhe kremtimet qenë të shkurtra, sepse në mars pasoi aneksimi i shpejtë i Krimesë nga Rusia.

Pak pas kësaj filloi marrja e ngadaltë e rajoneve në Ukrainën Lindore. Një hordhi e egër separatistësh sulmoi godinat qeveritare në qytetet e mëdha si Donjeck dhe Lugansk dhe forcoi kështu pushtetin e saj. Në maj, qeveria e Ukrainës ndërmori kundërsulm dhe kriza u kthye shpejt në një konflikt të gjerë. Kievi e akuzoi Moskën se mbështet kryengritësit. Një armëpushim i negociuar në shtator vetëm e qetësoi lehtë gjendjen, luftime të veçanta megjithatë ka.

Në tregun e Krishtlindjeve në KievFotografi: DW/K.Logan

Ukrainasit e ndiejnë që vendi ndodhet në një krizë ekonomike. Në orët e para të mëngjesit të hënën Parlamenti votoi për një ligj të diskutueshëm kursimesh. Njerëzit pra i presin edhe më tej kohë të vështira. Qeveria ka probleme të mëdha edhe për shkak të sasisë së pakët të energjisë këtë dimër. Veç kësaj, monedha e vendit ka humbur brenda pak muajsh gjysmën e vlerës së saj.

Olga nga Kievi thotë se është e zhgënjyer nga qeveria e re. Kjo në një kohë kur qeveria e nisi punën vetëm këtë vit. "Unë mendoj se qeveria e tanishme nuk qe në gjendje t'i plotësonte shpresat tona dhe se ne duhet të mblidhemi sërish, për të pasur një qeveri të re. Unë pres shumë ndryshime në vitin 2015", thotë ajo. "Ky nuk është fundi. Po, puna do të vështirësohet dhe secili duhet ta shtrëngojë edhe më fort rripin. Ne vetëm duhet të besojmë. T'i bëjmë të gjitha me buzëqeshje, të mendojmë pozitivisht. Pra le të urojmë një vit të ri të gëzuar."