1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëUkrainë

Ukraina dënon vonesat për krijimin e gjykatës për Rusinë

11 Shtator 2023

Ukraina dënon vonesat për krijimin e gjykatës për Rusinë dhe për transferimin në Kiev të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore.

Kievi kërkon transferimin në Ukrainë të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore, për t'i përdorur për rindërtimin e vendit
Kievi kërkon transferimin në Ukrainë të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore, për t'i përdorur për rindërtimin e venditFotografi: Ukrinform/dpa/picture alliance

Ukraina dënoi mungesën e përparimeve për krijimin e një gjykate për të ndjekur penalisht liderët rusë, gjykatë kjo e ngjashme me gjykatën e Nurembergut të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu Kievi u ankua për vonesat në transferimin në bankat ukrainase të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore. "Fatkeqësisht në të dyja çështjet ka një lloj bllokimi, sepse për çështjen e parë ka përçarje kurse për çështjen e dytë ka qartë mungesë vullneti," tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro KulebaFotografi: Brendan McDermid//REUTERS

Ai tha se grupi G7 mbështet një gjykatë hibride, e cila do të bazohej në legjislacionin ukrainas.

Ukraina dhe të tjerët shpresojnë se krijimi i një gjykate të tillë do të mundësonte gjykimin e Presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit Mikhail Mishustin apo ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov. Megjithatë është e paqartë se si ndonjëri nga këta zyrtarë do të mund të përfundonte ndonjëherë në gjendje arresti në Ukrainë ose ndonjë vend perëndimor, sepse ekstradimi i tyre nga Rusia duket shumë i pamundur.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin gjatë në vizite në Tribunalin e HagësFotografi: Peter Dejong/AP/picture alliance

"Është e pamundur t'u shpjegosh ukrainasve se mund të ketë një gjykatë pa Putinin në bankën e të pandehurve," tha Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.

Çështja e aseteve të ngrira ruse

Kievi gjithashtu po kërkon transferimin në Ukrainë të parave ruse të ngrira në bankat perëndimore, për t'i përdorur ato për rindërtimin e vendit. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u shpreh për një "mungesë vullneti" në lidhje me transferimin e këtyre aseteve.

Që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në Ukrainë u hodh ideja që paratë ruse të ngrira në bankat perëndimore në kuadrin e sanksioneve të përdoren për të rindërtuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Vlera e këtyre aseteve të ngrira mendohet se shkon në qindra miliardë dollarë.