1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina e Moldavia: Negociatat për anëtarësim në BE fillojnë

21 Qershor 2024

Negociatat e pranimit të Ukrainës dhe Moldavisë në BE pritet të fillojnë javën e ardhshme. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë, përpara se këto vende të pranohen realisht në BE.

Europawahl 2024 | EU Fahnen
Fotografi: Dwi Anoraganingrum/Panama Pictures/IMAGO

Vendet e Bashkimit Evropian kanë autorizuar zyrtarisht fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë javën e ardhshme. Presidenca aktuale belge e Këshillit njoftoi se shtetet anëtare kishin rënë dakord për një kornizë negociuese. Ajo përcakton udhëzimet dhe parimet për bisedimet e pranimit.

"Kjo hap rrugën për fillimin e negociatave të martën më 25 qershor në Luksemburg”, thuhet në deklaratën e Presidencës së Këshillit, e publikuar edhe në platformën online X. Raundi i parë i negociatave do të organizohet në kuadër të një takimi të ministrave të BE.

Komisioni Evropian i sheh të përmbushura kushtet

Vendimi pozitiv i shteteve të BE-së për fillimin e negociatave u bazua në një analizë të Komisionit Evropian. Ajo kishte arritur në përfundimin se Ukraina dhe Moldavia i kanë plotësuar të gjitha kërkesat për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE.

Fotografi: Valentyn Ogirenko/REUTERS

Këto përfshinin masa për të luftuar korrupsionin, për të përmirësuar mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe për të kufizuar ndikimin politik të oligarkëve.

E pasigurtë se kur do të ndodhë pranimi në BE

Procesi midis fillimit të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë dhe pranimin e tyre në BE mund të zgjasë shumë vite. Për t'u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të harmonizojnë ligjet dhe rregullat e tyre me ato të Bashkimit Evropian dhe të demonstrojnë se institucionet dhe ekonomitë e tyre janë në përputhje me standardet demokratike.

Ukraina aplikoi zyrtarisht për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian më pak se një javë pas pushtimit rus në shkurt 2022. Fillimi i bisedimeve është një tjetër shenjë e qartë e solidaritetit me Kievin, përveç mbështetjes së madhe financiare nga BE.

Moldavia ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për një luftë hibride kundër saj, duke ndërhyrë në zgjedhjet lokale dhe duke kryer fushata të gjera dezinformuese për të rrëzuar qeverinë dhe për të bllokuar rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE. Rusia i ka hedhur poshtë akuzat.

(tgsch)