1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina vlerëson rolin e kancelarit Scholz në samitin e BE

18 Dhjetor 2023

Liderë ukrainas kanë shprehur këto ditë vlerësime për lidershipin gjerman në BE. Roli i kancelarit Scholz në samitin e BE bëri që Ukraina të mos bllokohet nga vetoja hungareze, por të fillojë negociatat me BE.

EU-Gipfel Dezember 2023: Diskussion über aktuelle Herausforderungen und politische Agenda
Fotografi: European Council

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shprehu të dielën vlerësim të lartë për iniciativën e kancelarit gjerman Scholz në samitin e BE-së, e cila i mundësoi Kievit të fillonte negociatat e anëtarësimit në BE.

"Ajo që bëri kancelari Olaf Scholz në samit, domethënë eleminimi i kërcënimit të njëvetoje hungareze, do të mbetet në histori si një akt i udhëheqjes gjermane në interes të Evropës," tha Kuleba për gazetën gjermane Bild am Sonntag.

Një falenderim të madh ndaj Gjermanisë për fillimin e negociatave shprehu natën e së enjtes edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. Mbështetja gjermane për Ukrainën po rritet nga dita në ditë, u shpreh ai. Populli i Ukrainës do ta mbajë mend këtë gjithmonë.

Fotografi: Hatim Kaghat/dpa/picture alliance

Scholz: Vendim historik

Në takimin e nivelit të lartë të BE, kancelari Scholz i propozoi kreut të qeverisë hungareze Viktor Orban që të largohej nga dhoma për një pushim kafeje, në mënyrë që krerët e mbledhur të shteteve dhe qeverive të mund të votonin pa të për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën. Orbani e ndoqi këtë propozim, dhe në mungesë të tij, përfaqësuesit e 26 vendeve të tjera anëtare morën vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE me Ukrainën.

Iniciativa e kancelarit Scholz e lejoi Orbanin t'i përmbahet qëndrimit të tij për negociatat, pa bllokuar më tej pranimin e Ukrainës.

"Mund të shpresoj vetëm se kjo do të thotë gjithashtu një kthesë më të gjerë dhe e pakthyeshme në qëndrimin e Gjermanisë ndaj përpjekjeve për të zgjidhur problemet më komplekse,” shtoi Kuleba.

Fotografi: Virginia Mayo/AP Photo/picture alliance

Pas samitit, Scholzi vetë foli për një "vendim historik". Konsensusi nuk kishte rënë nga qielli, tha ai të premten. "Në frymën e një sjelljeje miqësore ndaj BE", Scholzi tha se Orbanit "unë i thashë, le ta mendojë njëherë. Ai e mendoi dhe më tha pastaj se e pranon propozimin". Kancelari gjerman tha se ky ishte një veprim vetëm për situata emergjente:"Nuk është diçka që duhet ta bësh gjithmonë."

Macroni kishte mendim tjetër për meritat

Presidenti francez, Emmanuel Macron duket se kishte mendim tjetër për mënyrën si qe zhvilluar e gjitha. Ai tha se ndryshimi i qëndrimi të Orbanit kishte qenë vepër e të gjithëve. Por sipas gazetës SZ, edhe kryeministri holandez Mark Rutte u shpreh qartë se merita i takonte "Olafit".

Kryeministri i Holandes Mark RutteFotografi: European Council

Në intervistën të dielën (17.12.) me gazetën Bild Am Sonntag, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Kuleba theksoi se me vendimin për filllimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, për herë të parë që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022, "BE nuk priti vendimmarrësit amerikanë, por u dha atyre një shembull që duhet të ndjekin ata”. Kjo dëshmon "se Evropa ka kapacitetin për të marrë një rol udhëheqës dhe se i duhet vetëm më shumë vetëbesim".

Në Uashington, debatohet prej muajsh për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Kjo ndihmë është objekt kundërshtimi në radhët e opozitës republikane në Kongres.

Ndihma për Ukrainën ishte gjithashtu një pikë e pazgjidhur mosmarrëveshje në samitin e BE-së të enjten dhe të premten e kaluar. Një samit i posaçëm për ndihmën për Ukrainën do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërsa lejoi, përmes një mungesës së shkurtër në sallë, vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Kievin, Orbani iu përmbajt kundërshtimit të tij ndaj lirimit të fondeve për Ukrainën, që arrijnë në 50 miliardë euro.

aud