FMN ulë prognozat pëer Shqipërinë
10 Shkurt 2012Shifrat vijnë nga raporti “World Economical outlook 2012” i publikuar së fundi nga FMN. Ky raport parashikon një rritje ekonomike prej 0,7% për vendet e Europës Juglindore kurse për Shqipërinë shifra është edhe më ulët: 0,5% nga 1,5% që ishte në fillim të këtij viti. Ndërkohë që qeveria e Tiranës parashikon këtë vit një rritje ekonomike prej 3,4 % , rreth 6 here më të madhe. Por pavarësisht nga kjo mospërputhje pararashikimesh , FMN në raportin në fjalë, e përfshinë Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë që pritet të ketë tkurrje të madhe të rritjes ekonomike.
Arsyet e uljes së prognozave
Arësyeja kryesore ku FMN mbështet pritshmërinë e tij për një rritje kaq të ulët ekonomike në vitin 2012 janë tregues që flasin për transferimin e krizës nga vendet e euro-zonës në vendet e Europes Juglindore dhe rrjedhimisht edhe në ekonominë e Shqipërisë. Në krye të tyre qëndron rënia e vazhdueshme e dërgesave të emigrantëve shqiptarë të Greqisë dhe Italisë, por edhe të vendeve të tjera të Eurozonës, dërgesa që kanë qënë deri tani karburant i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Arësyetimin e FMN e mbështet edhe një studim i Bankës së Shqipërisë i publikuar së fundi. Sipas këtij studimi të ardhurat nga emigrantët në fund të tremujorit të dytë të 2011 ishin 132,6 milion euro, duke shënuar një rënie prej 56, 6 milion euro kundrejt tremujorit të parë dhe një ulje prej 25 milion euro kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2010. Të njëjtin këndvështrim kanë edhe ekspertë të pavarur vendas në fushën e ekonomisë.
Prof. Dr. Zef Preçi, Drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike thotë për programin shqip të DW: “Zhvillimet në zonën e euros dhe sidomos në Greqi dhe në Itali, në dy vendet fqinjë, ndikojnë negativisht në ekonominë e Shqipërisë, në radhë të parë në zvogëlimin e prurjeve në atdhe të prurjeve monetare të emigracionit.”
Efekti direkt dhe më i dukshëm nga ulja e dërgesave të emigrantëve është kërkesa e brendshme e dobët për shkak të kreditimit të matur nga bankat dhe ngushtimit të hapësirës për stimuj fiskalë nga ana e qeverisë.
Për zbutjen e pasojave të krizës dhe nxitjen e rritjes ekonomike
Për zbutjen e këtij efekti FMN u sugjeron autoriteteve shqiptare përshpejtimin e reformave dhe përmirësimin e klimën e biznesit. Lidhur me zbatimin në praktikë të këtij sugjerimi Z. Preçi thotë: “Qeveria të rishikojë kuadrin rregullator të detyrimeve fiskale duke synuar uljen e arbitraritetit të administratës fiskale në marrdhënie me biznesin. Një drejtim tjetër është ulja e përqindjes së interesit për kreditë nga Banka e Shqipërisë. Në kohë të tilla krize vetëm ulja e interesave ndihmon në mbajtjen gjallë, zgjerimin dhe zhvillimin e biznesit. Për pasojë bën të mundur sigurimin e të ardhurave buxhetore.”
Kursimet e qytetarëve në bankat vendase.
Një rrugë tjetër për zbutjen e pasojave të krizës dhe që ka potencialin për t'i dhënë impuls ekonomisë është edhe mënyra se si i trajtojnë qytetarët kursimet e tyre. “Në një vend si Shqipëria, ku shtresa e mesme zë një vend jo të madh në shoqëri, mënyra sesi qytetarët trajtojnë paratë e tyre merr rëndësi të posaçme. Është fjala që këto kursime të vendosen në bankat vendase, që paraqiten mjaft të sigurta dhe te konsoliduara, dhe të vihen keshtu në interes të ekonomisë kombëtare” thotë Zef Preçi.
Sipas te dhenave te FMN rritja ekonoimike e Shqiperise mes viteve 2008- 2011 ka qene 9,6%.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Bahri Cani