1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNMIK nuk ikën

Aida Cama
14 Shkurt 2018

UNMIK do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë, thotë zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të KB në New York. Kosova është kundër, Rusia bllokon.

UNMIK-Gebäude
Fotografi: AP

I pyetur nga Deutsche Welle për fundin e misionit Stéphane Dujarric se "Misioni në Kosovë operon nën mandatin e Këshillit të Sigurimit. Për sa kohë që ky mandat vazhdon, ne do të operojmë me misionin tonë atje”.

Përfaqësues të lartë të politikës në Kosovë kanë kërkuar që misioni të përfundojë angazhimin në Kosovë. Zëvendësministri i Kosovës Enver Hoxhaj, tha të martën (12.02), në një konferencë organizuar në Nju Jork me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, se "UNMIK e ka përfunduar misionin dhe do ishte mirë që forcat dhe burimet të përdoren në vende të tjera të botës, që kanë më shumë nevojë se Kosova.

UNMIK ka aktualisht 342 punonjës në Kosovë, përfshirë këtu edhe punonjësit lokalë. Pjesa më e madhe e tyre operojnë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar kryesisht nga serbë. Misioni i UNMIK-ut në Kosovë bazohet në rezolutën 1244 të KB, rezolutë me afat të hapur, pra pa kufizim kohor. Qëllimi i misionit ka ndryshuar me ndryshimin e realiteteve në Kosovë. Por, dhënia fund e misionit duhet vendosur nga Këshilli i Sigurimit.

Stéphane DujarricFotografi: Imago/ZUMA Press/M. Brochstein

Rusia nuk pranon

Shefja e Misionit të Kosovës pranë Kombeve të Bashkuara, Teuta Sahatqija shpjegon për Deutsche Wellen çfarë po ndodh: „Fatkeqësisht, Rusia nuk lejon që të bëhet ndërrimi i destinacionit të këtij misioni 'paqeruajtës' dhe ne vazhdojmë të shkojmë në Këshillin e Sigurimit çdo 3 muaj, të diskutojmë për një temë pa substancë. Të diskutojmë për mosmarrëveshjet për një vendparkim të dy qytetarëve kosovarë, që paskan qëlluar njeri serb e tjetri shqiptar, dhe 'lufta' e tyre për vendparkim të definohet si 'incident ndëretnik'. Këto dhe gjëra të ngjashme e mbushin një raport të kotë çdo tre muaj dhe i mbledhin burrat e Këshillit të Sigurimit për të diskutuar për tema të tilla."

Shefja e misionit Sahatqija, mendon se UNMIK ka mbetur pa kompetenca administrative e aq më pak paqëruajtëse. "Ky mision pa vlerë, i cili shpenzon paratë e taksapaguesve të antarëve të UN nuk ka vend me këtë "job description". Ky mision që quhet nga antarët e OKB si "Five Star Mission", shërben si mision "turistik" në mes të Evropës, në një shtet stabil, me njerëz miqësorë dhe kuzhinë të mrekullueshme. Ai patjetër duhet të ndërrojë përshkrimin e vendit të punës.”

UNMIK për veriun

Teuta SahatqijaFotografi: DW

Në raportimin që i bëri Këshillit të Sigurimit mbi gjendjen në Kosovë një javë më parë, shefi i misionit Zahir Tanin, tha, se UNMIK-u po punon për unifikimin e sistemit të drejtësisë të Kosovës me Veriun e Kosovës. "Misioni ynë, është duke punuar për të unifikuar këtë sistem të ndarë. Ne ndjekim problemet që ekzistojnë si p.sh. e drejta e përdorimit të gjuhës. Mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk duhet të preken nga konsideratat politike apo dimensioni etnik, duke kërkuar që rendi shoqëror të bazohet tek ligji,” tha Tanin. Krijimi i besimit midis komuniteteve të shoqërisë në Kosovë është thelbësor për misionin e UNMIK-ut. Paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet pa bashkëpunimin e gjithë institucioneve dhe pa asistencën e komunitetit ndërkombëtar. Në këto fusha UNMIK është duke përdorur know-how që ka OKB.

Për këtë është mirënjohëse edhe ambasadorja Teuta Sahatqija: "Kosova ka nevojë dhe interes për të bashkëpunuar me OKB, thotë ajo, dhe e bën këtë me shumë sukses me agjensitë e saj, si UNDP, UNICEF, UNWOMEN, UNFPA, agjenci të cilat kanë programe të rëndësishme programore me institucionet e Kosovës."