111010 UN Deutschland
12 Tetor 2010Për politikën e jashtme gjermane Këshilli i Sigurimit është "zemra e rendit ndërkombëtar të paqes". Kështu lexohet në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme gjermane. Në të njëjtën kohë që prej ribashkimit gjerman një nga objektivat më të rëndësishëm të politikës së jashtme gjermane është reformimi i instancës më të lartë të OKB-së.
Synimi një vend i përhershëm
Kur Hans-Dietrich Genscher në shtator të 1991-shit foli për herë të parë si ministër i Jashtëm i Gjermanisë së bashkuar, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mund të dallohej rruga e re gjermane:
"Gjermania e bashkuar pozicionohet njëherë e përgjithmonë në anën e paqes dhe demokracisë, në anën e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor. Ne duam të përballemi si Gjermani evropiane me sfidat globale të botës. Çdo njeri në glob duhet të dijë se është për ne i afërmi ynë."
Ishte pasuesi në detyrë i Genscherit, Klaus Kinkeli, i cili në mes të viteve '90, hoqi dorë nga diplomacia e formulimeve të politesës dhe në mënyrë mjaft ofensive kërkoi një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit për Gjermaninë:
"Këshilli i Sigurimit vazhdon ende sot të pasqyrojë botën, siç ishte në fund të Luftës së Dytë Botërore, pa marrë parasysh rëndësinë, që kanë fituar Japonia dhe Gjermania. Unë i falenderoj të gjitha ato vende anëtare dhe shtete, të cilët përkrahin një vend të përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit."
Gjermania dhe Japonia, si fuqi me të drejtë vetojë përkrah SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë dhe Kinës? Partnerët dhe aleatët e Gjermanisë reaguan ose me një buzëqeshje të lehtë, si p.sh. SHBA-ja, ose e refuzuan hapur propozimin, si p.sh. Franca dhe Italia.
5 + (5 + 5) = 15
Me qeverinë e socialdemokratëve (SPD) dhe të gjelbërve (Die Grünen) në vitin 1998 diskutimi mori një hov të ri. Socialdemokratët dhe ekologjistët ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit, që të luftonin për një vend të përhershëm për BE-në në Këshillin e Sigurimit. Por në politikën reale fjala ishte për Gjermaninë. Në radhë të parë ish-kancelari Gerhard Schrëder kërkoi me shumë vetëbesim një vend të përhershëm për Gjermaninë. Të gjitha kritikat, sipas të cilave Gjermania nuk mund ta luante këtë rol, ai i hodhi poshtë:
"Kushdo, që pretendon diçka të tillë, flet gabim. Ne jemi kontribuesi i tretë më i madh në Kombet e Bashkuara, jemi të dytët sa i takon numrit të trupave të vëna në dispozicion për OKB-në. Çfarë përgjegjësie kërkohet më shumë?"
Schrëder tërhoqi vëmendjen, se shumë vende në Afrikë dhe Azi dëshirojnë fort një vend të përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit, për ta bërë instancën më të lartë të OKB-së më të drejtë dhe efektive:
"Kjo është pjesë e pritjeve ndaj një Gjemanie më të madhe dhe moderne dhe ne duhet ta plotësojmë atë."
Në vitet e qeverisjes së socialdemokratëve dhe të gjelbërve deri në vitin 2005 ishin në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën presidentin George W. Bush, që minuan përpjekjet gjermane për një vend të përhershëm. Një nga arsyet ishte se dueti Schrëder/Fischer refuzoi qartë dhe me forcë luftën në Irak. Këtë presidenti Bush nuk mund dhe nuk donte ta falte.
Por për ish ministrin e jashtëm Joschka Fischer rruga gjermane tashmë ishte përcaktuar. Dikur do të ndodhë një reformë e Kombeve të Bashkuara, përsëriste shpesh Fischer:
"Deri atëherë duhet shpuar një shtresë shumë e trashë. Për këtë duhen para dhe durim, dhe ne i kemi të dyja."
Në shtator të 2007-s, Angela Merkel, si kancelare e re në krye të koalicioni të madh mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, e përsëriti dëshirën gjermane për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Por ajo e bëri këtë në mënyrën e saj: me ton të qetë dhe diplomatik. Merkel iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme me argumentin se "Gjermania është e gatshme të pranojë më shumë përgjegjësi".
Por Unioni Kristiandemokrat/Kristiansocial nuk qeveris më me socialdemokratët, por me liberalët e FDP-së. Këta të fundit gjatë qeverisjes së Schrëderit, si parti opozitare, patën luftuar për një vend të përhershëm të BE-së në Këshillin e Sigurimit.
Autor: Sandra Petersmann/Eliana Xhani
Redaktoi: Angjelina Verbica