1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ura e Mostarit - një projekt multietnik nga shekulli XVI

Svetozar Savic10 Nëntor 2008

Gjatë luftës së Bosnjës ushtria e kroatëve të Bosnje-Hercegovinës e shkatërroi me artileri këtë urë. Po sot, 15 vjet pas shkatërrimit të urës a është Mostari ende një qytet i ndarë?

Ura e Mostarit
Ura e MostaritFotografi: Marina Martinovic/DW

Në mes të shekullit XVI mjeshtri i njohur osman Mimar Hajrudin ndërtoi një urë mbi lumin Neretvë. "Ura e vjetër" ishte për shekuj me radhë simbol i qytetit prej nga rrjedh edhe emri Mostar. Gjatë luftës së Bosnjës më 9 nëntor 1993 ushtria e kroatëve të Bosnje-Hercegovinës e shkatërroi me goditje të qëllimshme artilerie urën, që bënte pjesë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Pas një rindërtimi tetëvjeçar sipas origjinalit ura u rihap solemnisht në korrik 2004.

09 nëntor 1993. Ora dhjetë e dhjetë. Nën goditjet e artilerisë së ushtrisë së kroatëve të Bosnje-Hercegovinës shembet Ura e Vjetër e Mostarit dhe bie në lumin Neretvë. Edvin Palata është kameraman i televizionit lokal dhe ka filmuar gjithçka. Ai ishte në gjendje shoku, nuk u zinte besë syve:

"Qëndrova ashtu pa folur... Pastaj erdhën disa fëmijë. Edhe ata qëndruan dhe mallkuan. Mora kamerën dhe vazhdova, mendova se po ta shihja nga një vend tjetër, ajo do të qëndronte përsëri si më parë. Thjesht nuk arrin ta besosh."

Ura e Vjetër ka qenë që në shekullin XVI një projekt multietnik. Në ndërtimin e saj u përfshinë punëtorë nga të gjitha pjesët e Bosnje-Hercegovinës, tregon Zlatko Serdarevic, një adhurues i madh i urës. Ata që e shkatërruan nuk e dinin që ura ishte në zemrat e të gjithëve, si të kroatëve ashtu edhe të boshnjakëve ose të serbëve. Të gjithë njerëzit e drejtë u pikëlluan, thotë Zllatkoja:

"Me shkatërrim nuk arrihet shumë. Mund të shkatërrosh diçka fizike, por shpirtin: asnjëherë! Për banorët e Mostarit kjo urë nuk është shkatërruar kurrë. Kurrë! E mbajmë në zemrat tona, fëmijët tanë e mbajnë në zemër. Një bukuri të tillë nuk arrin ta shkatërroj kush, asnjëherë!"

Gjatë luftës së Bosnjës ushtria e kroatëve të Bosnje-Hercegovinës e shkatërroi më 9 nëntor 1993 me goditje të qëllimshme artilerie urën, që bënte pjesë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.Fotografi: AP

Çfarë synohej të arrihej me goditjen e urës?

Me prishjen e urës synohej të coptohej përfundimisht qyteti në atë kohë i ndarë prej luftës midis boshnjakëve dhe kroatëve të Bosnje-Hercegovinës, synohej të krijohej një ndarje e pakapërcyeshme midis Mostarit lindor dhe atij perëndimor.

Ura është rindërtuar, ajo ndriçon krenare mbi Neretvë. Formalisht qyteti është ribashkuar edhe nga pikëpamja administrative, e megjithatë shumë vetë besojnë se diçka ka ndryshuar: Ndarja nuk është më aq e dukshme, por ajo ekziston. Emir Baliç është njëri prej më të njohurve që hidhen nga ura e Mostarit:

"Nuk shoh hapa përpara. A mund të na afrojë përsëri ura? Ura është urë. Kjo nuk është më Ura e Vjetër që ishte, është një "Urë e Vjetër e re". Ajo duhet t'i afrojë njerëzit. Por këtu gjithçka është paralele: dy gjimnaze, kroat dhe bosnjak, dy universitete. Ky është përdhunim, nuk është Mostar i përbashkët. E ndien në ajër, qyteti është i ndarë."

Mostari është një qytet ku nuk të duhet të jetosh gjatë për të kuptuar se ndarja ekziston. Ka numra për informacionin, një për pjesën lindore, një për perëndimoren. Ka edhe dy ndërmarrje elektriku, dy ndërmarrje telefonash... gjithçka e dyfishtë. Por, siç thotë një banor, njeriu edhe mund të zgjedhë se në cilën anë do të jetojë.