1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtarët e Bundeswehr-it kthehen nga Kabuli

28 Gusht 2021

Pas fundit të misionit të evakuimit në Afganistan ushtarët gjermanë zbritën në aeroportin ushtarak, Fliegerhorst Wunstorf në Hanover. Por aksioni i shpëtimit duhet të vazhdojë.

Deutschland | Wunstorf | Rückkehr der Bundeswehr aus Afghanistan
Fotografi: Martin Meissner/AP Photo/picture alliance

Ushtarët, që kanë siguruar evakuimin e mijëra njerëzve nga Kabuli, tani janë kthyer në Gjermani. Ata zbritën në aeroportin ushtarak Wunstorf në Hanover. Në bordin e njerit prej tre avionëve, që erdhën nga aeroporti i Tashkentit, kryeqyteti i Uzbekistanit, ndodhej edhe ministrja e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer. 

Gjatë kthimit nga Afganistani pjestarët e Bundeswehr-it bënë një ndalesë në Tashkent, ku u përshëndetën nga ministrja e Mbrojtjes Kramp-Karrenbauer. Nën drejtimin e gjeneral-brigadës Jens Arlt në Kabul 454 forca, ndër to edhe 19 ushtare, morën pjesë në aksionin deri më sot më të madh për Gjermaninë të evakuimit.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier i falenderoi ushtaret dhe ushtarët për angazhimin e tyre në urën ajrore: „Faleminderit për angazhimin tuaj të guximshëm në një mision mjaft të vështirë – se sa i rrezikshëm ishte ky mision, e tregoi së fundi sulmi brutal në aeroportin e Kabulit", shkruan Steinmeier në instagram. "Bashkë me aleatët tanë ne kemi sjellë në siguri mijëra njerëz nga Afganistani. ...Vendi ynë është krenar për ju."

Pavioni intensiv fluturues i Bundeswehr-it – avioni i ashtuquajtur Medevac – me udhëzimin e ministres Kramp-Karrenbauer qendron tani për tani në Tashkent. Në rast nevoje ai duhet të mbështesë trupat e SHBA-së, që po vazhdojnë fluturimet e evakuimit pavarësisht situatës ekstremisht të rrezikshme. Nga sulmi në aeroportin e Kabulit (26.08) të enjten gjetën vdekjen rreth 180 vetëndër ta edhe 13 ushtarë të SHBA-së si dhe 18 të tjerë u plagosën.

Fotografi: Fabian Bimmer/REUTERS

Bundeswehr-i ka evakuuar gjithsej 5347 vetë nga Afganistani, ndër ta 500 gjermanë dhe 4000 afganë. Ministria e Jashtme në Berlin llogarit që ndërkohë ndodhen edhe rreth 300 shtetas gjermanë në Afganistan. Po ashtu ka edhe rreth 10.000 shtetas afganë, që janë regjistruar për evakuimin, bëhet e ditur më tej. Eshtë e paqartë, se sa prej tyre kanë mundur të largohen nga vendi.

SHBA: "deri në momentin e fundit"

Një ditë pas sulmit të rëndë në aeroportin e Kabulit, sipas të dhënave të SHBA-së, atje ende janë në pritje për një mundësi fluturimi edhe rreth 5400 vetë. Gjenerali i SHBA-së Hank Taylor tha, se SHBA „mund të evakuojë njerëz nga Afganistani deri në minutën e fundit të misionit ushtarak”. Deri të martën (31.08) SHBA dhe pak shtete aleate duan të vazhdojnë të evakuojnë njerëz nga Kabuli. Krahas Gjermanisë edhe Australia, Belgjika, Danimarka, Polonia, Holanda, Suedia, Spanja, Italia dhe Kanadaja i kanë dhënë fund urës së tyre ajrore.

Misioni vazhdon të „përballet me kërcënime konkrete dhe serioze", tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby. Ministria i korrigjoi ndërkohë të dhënat e saj për sulmin. Sipas saj ai ka qenë një atentat i një kamikazi të vetëm. Disa luftëtarë islamikë kanë pasur shkëmbime zjarri me ushtarët.

Të shfrytëzohen kanalet diplomatike

Qeveria gjermane është e mendimit, se tani duhet shfrytëzuar rruga diplomatike, për të mundësuar evakuimin e njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje dhe nuk ia kanë dalë ende të largohen nga vendi. Për këtë me të deleguarin Markus Potzel po zhvillohen bisedime me krahun politik të talibanëve në Katar. Talibanët, sipas Potzel, kanë premtuar, se edhe pas 31 gushtit – pra ditës së tërheqjes së trupave të SHBA-së – do të lejojnë njerëzit të largohen nga vendi. Talibanët për bashkëpunimin me Gjermaninë dhe SHBA-në shpresojnë për ndihma ndërkombëtare.

Fotografi: Martin Meissner/AP Photo/picture alliance

Maas udhëton për në vendet fqinj të Afganistanit

Ministri i Jashtëm Heiko Maas të dielën (29.08) do të udhëtojë për në Uzbekistan, Taxhikistan e Pakistan, si dhe në Turqi e Katar. Ai do të arrijë atje, që afganët e pajisur me leje udhëtimi për në Gjermani të lejohen të kalojnë përmes rrugëve tokësore për në vendet fqinj, në mënyrë që prej andej të fluturojnë për më tej. Maas do gjithashtu të peshojë rrethanat, se si mund të rifillojë fluturimi civil në aeroportin e Kabulit për njerëzit që duan të udhëtojnë.

 

uh/qu (dpa, afp)