1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria britanike fillon furnizimin me karburant

5 Tetor 2021

Është kriza më e rëndë e karburantit në Britani prej dekadash, me imazhe të shoferëve që formojnë radhë të gjata në stacionet e karburantit për të siguruar furnizime të pakta që dëmtojnë besueshmërinë e qeverisë.

Großbritanien I Stau an den Tankstellen
Fotografi: Chris J Ratcliffe/Getty Images

Ushtria britanike të hënën filloi angazhimin e shoferëve të cisternave ushtarake për të dërguar benzinë në stacionet e karburantit, në një përpjekje për të zgjidhur krizën energjetike të vendit.

Personeli ushtarak britanik me uniforma lufte mbërriti në një rafineri BP për të ndihmuar në shpërndarjen e karburantit përballë mungesës akute të shoferëve të kamionëve, tha një reporter i Reuters.

Ditët e fundit, Britania e Madhe është prekur rëndë nga mungesa e karburantit, duke nxitur zemërimin publik dhe blerjen në panik.

Fotografi: Tolga Akmen/AFP/Getty Images

Shoferët ushtarakë u vunë në gatishmëri në fillim të javës dhe që atëherë kanë marrë trajnime të posaçme.

Bëhet fjalë për krizën më të rëndë të karburantit prej dekadash në Britaninë e Madhe, me imazhe të shoferëve që formojnë radhë të gjata në stacionet e karburantit për të siguruar furnizime të pakta, gjë që dëmton besueshmërinë e qeverisë.

Qeveria e kryeministrit Boris Johnson thotë se burimi i krizës është mungesa e shoferëve të cisternave për të furnizuar karburant dhe kërkesa e pa precedent

Kompanitë e naftës kanë siguruar që nuk ka mungesë në furnizim, thjesht një problem dërgese.

Pse ka mungesë drejtuesësh automjetesh?

Kritikët fajësojnë qeverinë për mungesën e shoferëve, duke e lidhur këtë me qasjen e saj të ashpër ndaj Brexit-it, gjë që çoi në mungesën e shoferëve nga Evropa Lindore, të cilët normalisht furnizonin pikat e karburantit.

Fotografi: Adrian Dennis/AFP/Getty Images

Por qeveria e hedh poshtë këtë dhe argumenton se fajin e ka pandemia. Ministrat theksojnë se mungesa e kamionëve është një problem global, megjithëse vendet e tjera evropiane nuk kanë përjetuar një situatë të ngjashme në pikat e karburantit.

Për të përballuar problemin, autoritetet bënë një kthesë 180 gradë në vizat afatshkurtra, duke ofruar deri në 5.000 viza të tilla për drejtuesit e automjeteve të mallrave të rënda (HGV) dhe 5.000 të tjera për punëtorët e shpendëve.

Por kjo është shumë më pak se numri i nevojshëm, sipas shoqatave të industrisë, të cilat vlerësojnë se Britania ka nevojë për 100.000 shoferë të tjerë për të përmbushur kërkesën.

Përfaqësuesit e shoferëve evropianë të kamionëve janë gjithashtu skeptikë, që shoferët do të donin të vinin në Britaninë e Madhe me viza që do të përfundonin më 24 dhjetor.

Qeveria britanike thotë se zgjidhja afatgjatë është të punësimi i më shumë shoferëve britanikë dhe ofrimi i pagesës dhe kushteve më të mira. Përgatitja profesionale dhe testimi janë lënë pezull gjatë pandemisë së koronavirusit.

Cila është gjendja aktuale e punëve?

Fotografi: LINDSEY PARNABY/AFP

Kërkesa për karburant është stabilizuar gjatë ditëve të fundit, por disa pjesë të vendit ende përballen me mungesa të mëdha.

Ndërsa stacionet e karburantit në Londër dhe Anglinë juglindore vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e karburantit, situata është përmirësuar në Anglinë veriore dhe Skoci, tha të shtunën Shoqata e Shitësve me Pakicë të Petrolit (PRA).

Mungesa e shoferëve ka prekur jo vetëm dërgesat e karburantit, por edhe furnizimet e tjera të mallrave të konsumit, duke i bërë një pamje të zakonshme raftet bosh në supermarkete.

Pavarësisht problemeve, Johnsoni të shtunën u zotua të vazhdojë me agjendën e tij pas Brexit-it për Britaninë e Madhe.

Ai gjithashtu ka zemëruar Brukselin duke kërcënuar se do të heqë dorë nga disa prej marrëveshjeve të reja tregtare për Irlandën e Veriut. Veç kësaj, autoritetet britanike kanë shtyrë zbatimin e plotë të kontrolleve të reja kufitare në importet nga Bashkimi Evropian.

BE ka thënë se nuk do të rinegociojë kushtet e të ashtuquajturit protokoll të Irlandës së Veriut, i cili rregullon tregtinë midis Britanisë dhe krahinës së saj, e cila kufizohet me Irlandën, anëtare të BE.

aud (dw, rtr)