Ushtria gjermane do të vazhdojë të qëndrojë në Afganistan
15 Tetor 2007Atmosferë festive në Afganistan. Që nga e premtja vendi feston Bajramin e Madh, festën më të rëndësishme të vitit e cila shënon fundin e muajit të agjërimit, Ramazanit. Koha për tu takuar me familjen, farefisin dhe miqtë si përshembull këtu në Shari-Nau-Park në Kabul.
Për vendimin e marrë nga Bundestagu gjerman në Kabul pothuajse nuk ka dëgjuar askush
Lajmin për zgjatjen e mandatit të trupave ushtarake gjermane në Afganistan nuk mund ta gjesh në mediat afgane. Megjithatë lajmi pritet me gëzim nga bashkëbiseduesit tanë. Si përshembull fotografi 46 vjeçar Usman Payman: 'Kam qenë vetëm 16 vjet kur ka filluar lufta. Nuk mund të shkoja në shkollë, nuk kisha mundësi. Gati 30 vjet me rradhë ne kishim luftë dhe konflikt. Trupat gjermane ndihmojnë që të stabilizojnë vendin tonë. Andaj ne jemi të gëzuar për vendimin që ato të vazhdojnë të qëndrojnë këtu'.
Vendimi pritet mirë në civilët
Reagimin e njëjtë e dëgjojmë edhe nga studenti 20 vjeçar Nurullah Farvez: 'Ne kemi raporte të mira me ushtarët gjermanë sepse ata na ndihmojnë në shumë fusha të jetës: nga kulura, sporti e deri në sektorin e shëndetësisë. Pjesë e kësaj ndihme janë edhe ushtarët gjerman'.
Vendimi pritet mirë nga ushtarët
Reagime pozitive edhe në mesin e të prekurëve, ushtarëve gjermanë në Afganistan. Shumica e anketave të zhvilluara së fundi në Gjermani ka treguar se pjesa dërrmuese e popullatës është kundër zgjatjes së mandatit të Bundesvehrit në Afganistan. Gjenerali Bruno Kasdorf, shefi gjerman i Shtabit të ISAF-it formulon atë çka sipas mendimit të tij mendojnë të gjithë ushtarët gjermanë në Afganistan: 'Unë jam shumë i kënaqur me vendimin e Bundestagut gjerman. Pothuajse 80 përqind miratojnë misionin e Bundesvehrit këtu në Afganistan dhe kjo na gëzon'.
Pas Po-së së qartë për vazhdimin e misionit ushtarak, gjenerali gjerman Kasdorf pret më tepër përqëndrim në rindërtim dhe zhvillim, më tepër para dhe më shumë ekspertë: 'Ne si ISAF jemi vetëm një nga aktorët në Afganistan. Ne shpresojë që të kontribuojmë në zgjidhjen e çështjes me 20 deri 25 përqind. Kështu që mungojnë edhe 25 përqind të tjera, është fjala para së gjithash për organizatat civile, të cilat duhet të marrin përsipër këto detyra'.
Për gjeneralin Kasdorf përforcimi i luftës kundër korrupcionit dhe kultivimit të drogës është shumë me rëndësi. Dhe një përgatitje intensive e forcave afgane të sigurimit nga pala gjermane. Për këtë qëllim gjatë kkëtij madnati do të ngrihet një qendër e re trajnimi për ushtrinë në Afganistanin verior, grupe mobile trajnimi dhe më shumë angazhim në Kabul. 'Mendoj se do të duhet të kemi durim edhe tre-katër vjet me forcat afgane të sigurimit, derisa ato të jenë në gjendje që në të vërtetë të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për sigurinë. Deri atëherë afganët duhet të jenë të qëndrueshëm'.
Popullata afgane shpreson nga ana tjetër që bashkësia ndërkombëtare të jetë e qëndrueshme deri në fund
Megjithë kritikat ndaj sulmeve të gabuara dhe viktimave të pafajshme civile të shkaktuara nga operacionet e huaja ushtarake shumë afganë i druhen tërheqjes së parakohshme të truoave të huaja nga Afganistani: 'Natyrisht që trupat e huaja dikur do të duhet të largohen nga vendi ynë. Ato nuk mund qëndrojnë përgjithmonë këtu. Por ato duhet të shkojnë vetëm atëherë kur Afganistani të jetë në gjendje të qëndrojë pa ndihmën e tyre në këmbët e veta. Atëherë kur të ketë përfunduar përzierja e fqinjëve tanë, Kina, Irani dhe para së gjithash Pakistani dhe vendi ynë të jetë stabil'.