1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vështirësi në nostrifikimin e diplomave në Maqedoni dhe Kosovë

29 Nëntor 2011

Mbi 200 diploma presin të kalojnë procedurën e nostrifikimit. Numri më i madh është prej universiteteve, mirëpo nuk është për t'u injoruar as numri i diplomave të shkollave të mesme.

Studentë në Shkup
Studentë në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Deri në fund të këtij viti Maqedonia dhe Kosova pritet të finalizojnë nënshkrimin e marrëveshjes në sferën e arsimit. Grupet punuese të ministrive të arsimit të të dyja vendeve kanë harmonizuar pothuajse tërësisht qëndrimet rreth pikave të marrëveshjes, me të cilën do të zgjidhen një sërë problemesh, që i tangojnë studentët, mësimdhënësit dhe punëtorët shkencorë nga Maqedonia dhe Kosova: “Aktivitetet janë në vlugun më të madh të realizimit të tyre. Kemi bërë edhe draftin punues, se si duhet të duket marrëveshja, presim nga pala kosovare ta konfirmojë variantin, që ne ia kemi ofruar dhe besoj që deri kah mesi, apo fundi i muajit dhjetor edhe ky aktivitet të rrumbullaksohet”, thotë Agim Rushiti, përgjegjës i sektorit për arsim të lartë në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë.

Të mundësohet nostrifikimi i diplomave dhe titujve shkencorë

Fakulteti ekonomik në ShkupFotografi: MIA

Nënshkrimi i marrëveshjes do të hapë rrugë për zgjidhjen e problemeve të shumta, që kanë të dy shtetet fqinje, sa i përket njohjes së ndërsjellë të sistemeve arsimore dhe dokumenteve, që dalin nga këto institucione, konkretisht do të mundësohet nostrifikimi i diplomave dhe titujve shkencorë: “Për momentin kemi probleme lidhur me nostrifikimin e 108 kandidatëve të ciklit të parë dhe të dytë, veçanërisht në sferat shkencave shoqërore, ku për nostrifikim janë nënshtruar në ciklin e parë 76 studentë, kurse në ciklin e dytë 14 studentë”, shprehet Rushiti.

Problem që zgjat prej vitesh

Qytetarët e Maqedonisë me vite të tëra janë në pritje të jetësimit të kësaj marrëveshjeje, meqë në bazë të saj ata do të mund të punësohen në institucionet shtetërore:“Jam studente në Univesitetit Shtetëror të Prishtinës, jam e kënaqur me atë, që po dëgjoj që diplomat do të pranohen edhe në shtetet tjera, meqenëse nëse nuk pranohen diplomat, ne nuk do të mundemi të punojmë.”

“Ka një vit që kam magjistruar në Universitetin e Prishtinës. Nuk po më mundësohet që të bëhet nostrifikimi i diplomës. Meqë është për të mirën e të gjithë qytetarëve që të kemi njerëz të arsimuar”, thonë studentët nga Maqedonia, që kanë studiuar në Universitetet e Kosovës.

Nxënës në TetovëFotografi: Petar Stojanovski

Marrëveshja për bashkëpunim në sferën e arsimit midis Maqedonisë dhe Kosovës do të jetë gjithpërfshirëse, ku parashihet këmbimi i përvojave, i profesorëve dhe studentëve, publikimi i teksteve në të gjitha fushat e veprimtarisë arsimore dhe shkencore.

“Në marrëveshtje kemi paraparë të ofrojmë edhe bursa për shkollim dhe të drejtë studimi për kurse të plota dhe të pjesëshme, për kërkime shkencore gjithashtu për studentët, specializantët, për doktorantët dhe kështu me rradhë”, shprehet Agim Rushiti.

Marrëveshje në sferën e arsimit, Maqedonia ka të nënshkruar pothuajse më të gjitha vendet e rajonit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica