1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romani "Vajzat me çelës në qafë" - "Apel për t’u përballur me të shkuarën "

Vilma Filaj-Ballvora13 Tetor 2012

Kritika në median gjermane mbi romanin e Lindita Arapit, „Vajzat me çelës në qafë”. „Dittrich Verlag“ botoi përkthimin në gjermanisht nga përkthyesi i njohur i letësisë shqipe në gjuhën gjermane, Joachim Röhm.

„Shqipëria në kohën e komunizmit. Një qytet i vogël i panjohur D., model i shoqërisë socialiste që i kryen detyrat e veta me seriozitetin dhe zellin më të madh, ashtu si edhe spiunimin dhe dënimet politike. Mbrëmjeve një vajzë e vogël, Lodja Lemani qëndron në dritaren e vogël të kuzhinës për të dëgjuar thashethemet e grave të lagjes: kush spiunon, kush është besnik, kush mban fshehurazi pula. Gruaja e vetme që rri mbyllur është nëna e Lodjas. Edhe Lodja rri në shtëpi, dhe nuk merr pjesë në xhiron e mbrëmjes... Familja e Lodjas- bën pjesë tek familjet me „biografi të zezë“.“ Lodja e kupton se e ardhmja e saj varet nga e shkuara, shkruan Kramtschek.

Kritikja letrare Claudia Kramatschek në radion gjermane „Deutschland Radio - Kultur“ e cilëson „Vajzat me çelës në qafë”, si një roman intensiv, një kërkim gjurmësh nëpër tre gjenerata femrash shqiptare dhe në një vend, që vetëm me vështirësi arriti të gjejë rrugën e lirisë së panjohur.

Kramatschek: Kultura e „zakonit“ që sundon si „regjiment i heshtur“

„Vite më vonë, Lodja studente vendos të kthehet në vendlindje për të gjurmuar të shkuarën. Kjo është pikënisja e një udhëtimi, nëpër të cilin na merr me vete shkrimtarja Lindita Arapi, - e lindur vetë në Shqipëri në vitin 1972. Përmes një rrëfimi restrospektiv, Arapi na përshkruan një kulturë, ku sundon „zakoni“ si një „regjiment i heshtur“; ku fisi vlen më shumë se sa individi; dhe një burrë vlen më shumë se sa një grua.

Në të njëjtën kohë Arapi na paraqet një vend në tranzicion: nga njëra anë vështirësitë e gjeneratës së re me traditat e tejkaluara, por të ngulura thellë tek gjenerata e vjetër.

Por para së gjithash Arapi apelon me romanin e saj, faljen – që do të thotë – më në fund, ashtu si Lodja bashkëkombasit e saj të përballen me të shkuarën e vet. Sepse vetëm kush kujton, mund të harrojë, thënë ndryshe, mund të falë: Dhe vetëm ai që fal, ka të ardhmen përpara, si në fund të romanit, Lodja. Në këtë kontekst, Shqipëria – ku gjakmarrja luan ende rol në strukturat rurale - gjendet ende në fillim të një rruge të gjatë. Pikërisht këtë rrëfen Arapi përmes imazhave sa të fuqishëm aq edhe të pazëshme.”

Volker Dittrich: “Një udhëtim në të shkuarën shqiptare”

Një roman prekës, i popullzuar me zëra femërorë, që pëshpërisin, binden, përshtaten, por edhe protestojnë, kështu e prezanton botuesi Volker Dittrich romanin e Lindita Arapit. Një udhëtim në të shkuarën shqiptare, që nuk tregon vetëm zhvillimin jo të njëkohshëm në vendet e Evropës Lindore, por edhe faktin se pa rrënjë, nuk mund të kesh flatra për të formësuar personalitetin dhe të jesh i lirë për të ardhmen.”

„Vajzat me çelës në qafë“ vëren Andre Vincze në radion bavareze „Bayerischer Rundfunk“ është edhe një simbol për femrën e duruar dhe të urtë shqiptare. Por Lindita Arapi nuk është edhe aq dakord me  klishenë e romanit femëror: „është më shumë një roman për denigrimin që i është bërë individit në diktaturë“, thotë ajo.

„Të mësosh të marrësh frymë“ e cilëson Insa Wilke artikullin e saj për romanin “Vajzat me çelës në qafë” në revsitën për perspektiva ndërkombëtare dhe shkëmbimin kulturor “Kulturaustausch ”.  “Romani rrëmbyes i Lindita Arapit për fatin e tre femrave në Shqipëri është një apel urgjent për t'u përballur me historinë.”

Autorja Lindita ArapiFotografi: DW

Wilke: “Ajo kujton për t'u çliruar”

Kritikja letrare Insa Wilke „Arapi nuk akuzon, por çliron: Ajo kujton për t'u çliruar. Humori karakteristik i heq historive të femrave në romanin e saj terrin, dhe i mbush me reflekse drite. Traditat arkaike të shoqërisë shqiptare Arapi i përshkruan me syrin zbërthyes të një femre moderne. Ajo ka shkruar një roman letrarisht të mençur, një roman zhvillimi dhe gjurmues, të cilin përkthyesi Joachim Röhm me një ndjesi të hollë e ka sjellë në gjuhën gjermane për shtresëzimet e ndryshme të kohës brenda tij –Lindita Arapi ka një vizion për një shoqëri të emancipuar shqiptare.


Vajzat me çelës në qafë“ është një histori shqiptare dhe lexuesit gjerman mund të mësojnë shumë për këtë vend të izoluar kaq gjatë. Por a është thjesht një „histori shqiptare?“ Lexuesit gjerman mund ta lexojnë këtë libër edhe si histori evropiane, një histori tek e e cila ata rigjejnë vetveten dhe kuptojnë ndjesinë se ndikimi i prindërve është po aq universal, sa edhe vështirësitë për t'u përballur me ta. Arapi  ka shtuar mozaikut të kujtesës evropiane me historinë e Lodjas një gur fosforeshent.”

Romani „Vajzat me çelës në qafë” u botua fillimisht në Tiranë nga shtëpia botuese “ideeart” në vitin 2010 në Tiranë. Në vitin 2011 ai mori çmimin „KULT“ si libri i vitit në Tiranë.