1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Van Rompuy: Rendi dhe ligji një prej prioriteteve më të rëndësishme në Kosovë

6 Korrik 2010

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, tha në Prishtinë se rendi e ligji janë vlera përcaktuese të BE-së dhe duhet të jenë prioritete për Kosovën. Ai mbështeti misionin EULEX, që po arrin rezultate.

Herman Van RompuyFotografi: AP

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, u kërkoi autoriteteve kosovare që të vazhdojnë me reforma bazuar në vlerat evropiane dhe këto reforma sipas tij janë thelbësore për zhvillimin e Kosovës dhe perspektivën e saj evropiane. Herman Van Rompuy, në kuadër të vizitës së tij në rajonin e Ballkanit, në Prishtinë takoi së bashku udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe në një takim tjetër përfaqësuesit e misionit EULEX. Këto takime u zhvilluan me dyer të mbyllura, që pasuan në fund me një deklaratë të presidentit të BE-së.

“Rendi dhe ligji janë një prej vlerave përcaktuese të BE-së dhe një prej prioriteteve më të rëndësishme në Kosovë. Misioni EULEX, ka arritur rezultate të mira”, tha Herman Van Rompuy.

Logo Eulex (European Union Rule of Law Mission Kosovo)

“Aktivitetet e misionit EULEX, tregojnë përkushtimin e fuqishëm të BE-së, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Misioni EULEX e ka mbështetjen e të gjithë mekanizmave të BE-së dhe unë jam krenar me arritjet e këtij misioni në Kosovë. Ju jeni duke bërë një punë të vlefshme dhe të rëndësishme dhe shumëherë në rrethana jashtzakonisht të vështira”, tha Herman Van Rompuy. Presidenti i BE-së, nuk pranoi t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, sikundër as udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nuk u paraqiten para mediave.

KS diskuton sot për Kosovën

Herman Van Rompuy po qëndron në Kosovë në ditën, kur në KS-it do të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga Serbia dhe ku do të diskutohet për incidentet e fundit me viktima, që ndodhën në veri të Mitrovicës. Herman Van Rompuy para së të vijë në Kosovë i dënoi këto incidente. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, lidhur me seancën e KS-it thotë se nuk do të jetë i qëndrueshëm synimi i Serbisë, që në KS-it ta paraqes Kosovën si një vend jostabil.

Këshilli i SigurimitFotografi: AP

“E dimë se Serbia si gjithmonë deri tash ka bërë përpjekje që të gjejë grimca të caktuara për të demonstruar sipas saj që Kosova nuk mund të jetë një vend i qëndrueshëm”, thotë presidenti Sejdiu.

Në seancën e KS-it për Kosovën, e cila nuk është e hapur për media nga Serbia merr pjesë presidenti serb Boris Tadic, ndërsa nga Kosova merr pjesë shefi i diplomacisë kosovare Skender Hyseni dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica