1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëri dhe papunësi ekstreme në Serbi dhe Malin e Zi

Wiebke Breuckmann21 Mars 2004

Përqindja e lartë e papunësisë dhe varfëria ekstreme vazhdojnë të jenë të pranishme çdo ditë për banorët e Serbisë dhe Malit të Zi. Përfaqësuesit e Caritasit gjerman janë madje të mendimit se një prej shkaqeve të acarimit të gjendjes në Kosovë mund të ketë të bëjë edhe me mjerimin në Serbi dhe Malin e Zi.

Një lypëse në një rrugë të Beogradit
Një lypëse në një rrugë të BeograditFotografi: AP

Varfëria në Serbi dhe Malin e Zi po merr përmasa që të tmerrojnë. Në radhë të parë prej saj janë të prekur të moshuarit, fëmijët, të papunët dhe punëtorët e degëve industriale. Caritasi gjerman madje është i mendimit se brënda dhjetëvjeçarit të kaluar varfëria është dhjetëfishuar. Sipas një studimi të Qendrës serbe për studime liberalo-demokratike në vitin 2002 një ndër tre banorë jetonte nën nivelin e minimumit të jetesës. 18% e banorëve të Serbisë dhe Malit të Zi kanë vetëm 20 dollarë të ardhura në muaj, gjë që do të thotë se jetojnë në varfëri absolute. Përfaqësuesit e Caritasit gjerman janë madje të mendimit se një prej shkaqeve të acarimit të gjendjes në Kosovë mund të ketë të bëjë edhe me mjermin në Serbi dhe Malin e Zi.

Gernot Kraus, referent për Ballkanin pranë Caritasit gjerman ishte gjatë muajit mars në Beograd dhe tregon: "Natyrisht që në qytet të zë syri edhe persona shumë, shumë të pasur që përdorin makina të mëdha dhe luksoze. Por nga ana tjetër edhe një shtim të jashtëzakonshëm të një varfërie vërtet ekstreme. Nëpër rrugë sheh pleq që gërmojnë nëpër kazanët e plehrave, varfanjakë, lypësa apo romë të rreckosur. Pra nëpër rrugë mund të konstatosh një shtim të madh të një varfërie të dukshme."

Shkaqet e kësaj varfërie janë të shumta. Nga njëra anë kjo varfëri është pasojë e luftrave në ish-Jugosllavi. Nga ana tjetër edhe para luftrave gjendja ekonomike nuk ishte e thjeshtë. Kalimi nga socializmi në ekonominë e tregut solli edhe për Serbinë dhe Malin e Zi të njëjtat probleme si për të gjithë rajonin.

"Shumë prej marrëdhënive të dikurshme tregëtare u ndërprenë. Shumë ndërmarrje ndërprenë prodhimin ose u mbyllën për shkak të embargos së gjatë ndaj Jugosllavisë në peridhën e luftrave dhe duhet të kalojë një kohë e gjatë që ato të mund të rifillojnë sërish aktivitetn e tyre. Kuptohet që të gjitha këto kanë ndikuar rëndë në gjendjen ekonomike të popullsisë." - sqaron Kraus.

Qeveria serbe publikoi vitin e kaluar një koncept për hapjen e vendeve të punës dhe për t'i mundësuar popullsisë një shfrytëzim të kapaciteteve mjeksore dhe shkollore të vendit. Por realizimi i këtij koncepti është i pasigurt, sepse mungojnë kushtet ligjore. Madje edhe Caritasi gjerman punon në Jugosllavi në një terren ligjor të pasigurt.

Varfëria, papunësia dhe mungesa e perspektivës janë sipas mendimit të Gernot Kraus dhe kolegëve të tij njëri prej shkaqeve për shpërthimin rishtaz të dhunës në Kosovë.

"Mungesa e perspektivës është një pikë e rëndësishme, njerëzit nuk shikojnë asnjë të ardhme për vete. Në vend nuk prodhohet asgjë dhe kjo bën që të mos ketë asnjë shpresë për përmirësimin e gjendjes dhe të të ardhurave. Kjo bën që njerëzit ta humbasin durimin dhe të protestojnë ndaj atyre strukturave që i kanë detyruar t'i pranojnë. Pikërisht kjo bën që edhe tensionet dhe mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës të shtohen".

Gernort Kraus mendon se për shkak të gjendjes tejet të tensionuar për shkak të varfërisë ekstreme në Serbi dhe Malin e Zi gjendja mund të përshkallëzohet më tej, pra mund të ketë sërish dhunë. Nisur prej djegieve të xhamive në Nish apo Beograd, Kraus thotë: "Me siguri do të ketë protesa të tjera, në rast se gjendja nuk do të qetësohet. Dhe me e keqja do të ishte, nëse konflikti do të shpërthente sërish gjë që do ta kthente të gjithë rajonin shumë vite prapa."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW