Varfëria e fëmijëve në Gjermani
20 Shtator 2007
Kështu është edhe në Gjermani, ku më së shumti vuajnë fëmijët që jetojnë vetëm me një prind. Rrobat e ngrohta dhe ushqimi i rregullt për ta nuk janë gjëra të vetkuptueshme. E të mos flasim për mungesën e parave për kënaqësitë në kohën e lirë. Në Gjermani problemi serioz nuk është se fëmijët vuajnë uria dhe jetojnë në rrugë, por se në një vend me mentalitet konsumatorësh dallimet e mëdha mes fëmijëve janë të mëdha.
Fjala është pra për mangësi
Gerhard Mylner (Müllner) është udhëheqës i shoqatës së puntorëve social të kishës dhe edukatorëve që punojnë me fëmijët në rajonet problematike sociale. Për 11 vjet me radhë ai ka udhëhequr kopshtin e fëmijëve në rrugën Esher, e cila gjendet në një pjesë shumë të varfër të Këlnit. "Shpesh ndodh që fëmijët të mos kenë ushqim për drekë, por marrin me vete një euro, apo një euro e gjysmë, vrapojnë në shitoren e parë për të blerë ndonjë ëmbëlsirë apo patatina. Fjala është pra për mangësi dhe jo aq tepër për uri", pohon ai.
Shoqata organizon edhe ndarje ushqimesh, ku fëmijët paguajnë gjysmën e çmimit prej 30 eurosh në muaj dhe mund të hanë një herë në ditë. Ndërsa fëmijët me gjendjen më të rëndë hanë falas. Nga kjo përfiton edhe Ajshe Bashtyrk (emri i ndryshuar nga Redaksia). Denisi djali i saj tetëvjeçar dhe vajza 11 vjeçare Jasmina, e vizitojnë këtë shoqatë në rrugën Esher. Gruaja me origjinë kurde, është prej kohësh e papunë. Ajo merr 600 euro në muaj ndihma për të papunët dhe 500 euro prej burrit, i cili punon me një restorant të vogël turk. Mirëpo këto para nuk mjaftojnë.
Nga varfëria nuk vuajnë vetëm të huajt
"Shpesh kam shkuar te zoti Myllner dhe kam qarë. Dhe ai më ka ndihmuar. Me fëmijët nuk mund të bëjë asgjë. Nuk mund të shkoj as në kinema, sepse nuk kemi para. Djali im thotë se do të kishte shumë dëshirë që një herë të shkojë në kinema. Nuk mund t'i dërgojë as në MacDonalds për të ngrënë diçka, sepse një ushqim atje kushton 3,5 euro. Kemi edhe shumë borxhe të cilat duhet t'ia paguajmë", thotë Ajshja. Vuajtjet e Ajshes janë shtuar në veçanti pas largimit nga puna, në fund të vitit të kaluar.
Tani nuk është më në pyetje vetëm ushqimi por edhe shkolla. "Tani për vajzën më është dashur t'i jap 40 euro, për libra dhe gjëra të tjera për shkollë. Kam blerë edhe fletore, ngjyra dhe sende të tjera. Kam blerë edhe gjëra për djalin dhe shumë shpejt shkuan 100 euro", pohon ajo. Hulumtuesi i varfërsisë nga Këlni, Kristian Butervege (Christian Butterwegge) thotë se varfëria nuk është vetëm specifikë e fëmijëve me prejardhje të huaj. "1,9 milionë fëmijë jetojnë në familje që marrin ndihma sipas të ashtuquajturit Hartz IV. Këto familje jetojnë prej ndihmave të shtetit të cilat nuk janë tepër të larta. Në muaj të rriturit marrin nga 347 euro, ndërsa fëmijët deri në 15 vjeç marrin 208 euro. Të këtillë janë 1,9 milionë nga gjithsej 11,4 milionë fëmijë nën 15 vjeç sa jetojnë në Gjermani", thekson ai.
Në disa rajone përqindja e fëmijëve, që duhet të jetojnë me ndihma të këtilla është shumë më e lartë. Në Gërlic, i cili është në pjesën e ish - Gjermanisë lindore, në kufi me Poloninë, mbi 44 përqind të fëmijëve jetojnë në kushte të tilla. Paratë i përdorin për ushqim dhe veshmbathje, ndërsa për gjërat të tjera nuk mbetet asgjë. Ajshe Bashtyrk këtë vit nuk ka mundur t'i organizojë vajzës as ditëlindjen. "Ditëlindjen e kishte me 18 gusht. Nuk kemi mundur ta festojmë dhe për këtë kam vuajtur shumë. Nuk kam ditur si t'ia shpjegoj, pse nuk po e festojmë ditëlindjen. Në fund vendosa të bisedojmë si me një gra të rritur. Reagimi i saj ishte i mrekullueshëm. I thashë: e dashur, kësaj radhe mund të bëjmë vetëm një ëmbëlsirë. Më përqafoi dhe më tha: jam e lumtur që të kam ty dhe kjo është dhurata më e mirë për ditëlindjen time", shpjegon Ajshja. Ndërsa Butervege pohon: "Për fëmijët dhe të rinjtë është tepër e rëndë, kur janë të varfër ose relativisht të varfër, në një shoqëri të pasur. Ata jetojnë nën presione të mëdha që gjithmonë të kenë celularin më modern, elektronikën më moderne dhe gjërat të tjera. Imazhi në shoqëri varet prej asaj se a i kanë dhe a mund t'i blejnë të gjitha këto."
Fëmijët e dinë çfarë është varfëria
Po në qoftë se nuk i kanë?"Fëmijët e mi e dinë se çfarë është varfëria. E dinë shumë mirë se jam e papunë, se unë nuk kam shumë para, e nuk ka as babai. E kanë shumë vështirë, por ata janë fëmijë të fortë dhe mund të përballen me këtë gjendje. Besoj", pohon Ajshe Bashtyrk.