1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëria: Kërcënim për demokracinë

Stephanie Höppner / Pandeli Pani24 Dhjetor 2013

Mospjesëmarrja në votime e të varfërve dhe atyre që kanë nivel të ulët arsimimi vihet re si në lindje edhe në perëndim të Gjermanisë.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Ku mund të gjej ofertat më të mira? Kur vjen ndihma sociale? A mund ta paguaj ekskursionin e fëmijës me shkollën? Jeta e përditshme e më të varfërve në Gjermani është rraskapitëse nga lufta e përditshme për mbijetesë. "E gjithë çon në atë që të jetosh sot me nesër dhe të humbasësh perspektivën", thotë politologu Ernst-Ulrich Huster nga universiteti Giessen dhe Bochum.

Një dukuri në dukje paradoksale pikërisht të varfërit dhe të pafavorizuarit e shoqërisë që kanë të gjitha arsyet për të ndryshuar gjendjen e tyre angazhohen rrallë, të paktën në nivelin politik. Sipas një studimi të publikuar kohët e fundit nga Fondacioni Bertelsmann ata nuk marrin pjesë në votime. Kjo u duk edhe në votimet në vitet 2009 dhe 2013, ku pjesëmarrje qe më e ulët se kurrë. Dhe shumica e 17 milionë vetëve që nuk shkuan për të votuar i takojnë shtresës së varfër që ka pak ose aspak të ardhura dhe një nivel të ulët shkollimi. Veçanërisht në lagjet ku ka shumë banorë që jetojnë me ndihma sociale, për të votuar shkon më pak se gjysma e njerëzve.

Ku mund të gjej ofertat më të mira? Jeta e përditshme e më të varfërve në Gjermani është rraskapitëse nga lufta e përditshme për mbijetesëFotografi: DW/C. Ignatzi

Mospjesëmarrja në votime e të varfërve dhe atyre që kanë nivel të ulët arsimimi vihet re si në lindje edhe në perëndim të Gjermanisë. Po ashtu kjo vihet re si në qytete edhe në fshatra.

Pjesëmarrja në votime nuk shihet si detyrim qytetar

Fenomeni nuk është i ri, por asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë mosvotues si në zgjedhjet parlamentare të viteve 2013 dhe 2009. "Tek shtresat e ulëta vërejmë një ndryshim në vlera," thotë Robert Vehrkamp, bashkëautor i studimit të Fondacionit Bertelsmann. Deri në vitet 1980 pjesëmarrja në votime shikohej një detyrim demokratik i qytetarëve, kurse sot kjo nuk është më kështu. Po ashtu as lidhja tradicionale e lagjeve të klasës punëtore me Partinë Socialdemokrate nuk ekziston më.

Politologu Ernst-Ulrich Huster thotë se mospjesëmarrja në votime lidhet edhe me mosbesimin ndaj politikanëve dhe se kompleksiteti i vendimeve poltike që merren p.sh. në BE janë të pakuptueshme për njerëzit dhe i frikëson ata.

Më shumë angazhim në nivel lokal

Robert Vehrkamp, bashkëautor i studimit të Fondacionit Bertelsmann beson se fenomeni i mospjesëmarrjes në votime do të shtohet. Të varfërit nuk shkojnë të votojnë sepse mendojnë se askush nuk i merr seriozisht. Por duke mos marrë pjesë në votime ata nuk përfaqësohen në qeverisje.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Politologu Ernst-Ulrich Huster thotë që është e nevojshme që mosvotuesit duhet të anagzhohen më tepër në nivelin e politikës lokale, sepse aty e kanë më të lehtë për të parë perspektiva për veten dhe në këtë mënyrë mund të marrin mbi vete më pas edhe përgjegjësi më të gjera gjeografike dhe politike.

Robert Vehrkamp mendon se kjo mbetet vetëm një dëshirë e mirë, sepse ata që nuk shkojnë të votojnë nuk angazhohen as në forma të tjera të pjesëmarrjes demokratike.