Varfëria në Kosovë - vetëm pasojë e gjendjes së trashëguar?
17 Tetor 2011
Zyhra Beqiri, 92 vjeçare është vetëm një rrëfim i hidhur për varfërinë gjithnjë në rritje, në Kosovë. Jeta e saj zhvillohet brenda një kasolleje me një dhome dhe një banjë, daljen jashtë së cilës tashmë ja vështirëson humbja e shikimit dhe ecja herë me bastun e më tepër zvarrë.
“Dal me shtagë, për gjynah...Paj, n´mujsha me dal po dal-s´mujta po flej n´gjumë!“
Plaka njëqindvjeçare s'ka familje as pronë. Fati i saj prej rreth 30 vjetësh varet vetëm nga mëshira e fqinjve vullnetmirë. Vetëm prej korrikut të këtij viti ka fituar ajo të drejtën e kujdestarisë, ndërsa përkujdesje shëndetësore nuk e gëzon ende. Por, si mbijeton një plakë e vetmuar me vetëm 45 euro pension pleqërie?“Qysh ka bo Zoti emër, t´lumte na per to! Vallahi po m´japin shokët, Zoti i rujt jarabi. Po vallahi m´japin çka po hane për veti! Qeshtu!“
Më shumë angazhim për “të harruarit” e shoqërisë
Viti 2011, dhe në Kosovë papunësia dhe varfëria janë në nivel shumë të lartë. Sipas Entit të Statisikave të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti paga mesatare ishte 374 euro, që do të thotë as të punësuarit nuk e kanë më lehtë. Nora Sahatciu, koordinatore pranë Zyrës së Koordinimit të Agjencive të Kombeve te Bashkuara, argumenton:
“Nëse themi se një familje e shfrytëzon pjesën më të madhe të pagës për të ushqim, ajo familje qëndron nën linjën e varfërisë ekstreme. Kemi rreth 45 per qind të rasteve kur nëpër familje njerëzit e punësuar hyjnë në kategorinë e familjeve të varfëra, sepse ata nuk mund t´i plotësojnë nevojat tjera të familjes përveç nevojave ushqimore. Prandaj, sipas shifrave më të fundit me të cilat disponojmë, përqindja e varfërisë ende qendron diku rreth 43 për qind. Që do të thotë se në Kosovë nuk ka interesim të mjaftueshëm që të ecin përpara disa prej çështjeve, të cilat do t´iu ndihmonin vërtet atyre, më të harruarve të shoqërisë sonë, të kenë më shumë qasje në punësim, në eudikim, në shëndetësisë dhe të jenë pjesë e shoqërisë sonë”, thotë koordinatorja Sahatçiu. Ajo shton se, situatën e bën edhe më të rëndë papunësia e 48 për qind të popullatës së aftë për punë, 70 për qind prej të cilëve janë të rinj.
Rreth 35 mijë familje jetojnë nga asistenca sociale
Sipas Behxhet Gaxhiqit, këshilltar i Ministrit për punë dhe Mirëqenie Sociale të Kosovës, aktualisht janë 34.900 familje me 151.551 anëtarë të cilët përfitojne nga asistenca sociale.
“Mirëpo, krahasuar me vitin e kaluar kemi një rënie për vetë faktin se sezoni i verës ka ndikuar në masë të madhe në uljen e numrit të përfituesve të kësaj asistence, meqenëse ka mundësi punësimi të përkohshëm dhe në momentin që ata gjejnë punë në bazë të projekteve të shumta që i realizojmë, ata lirohen nga skema e asisitencës sociale”.
Hapja e vendeve të punës ndikon direkt në zbutjen e varfërisë
Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale, një gjendje e tillë është pasojë e problemeve të grumbulluara gjatë 20 viteve të kaluara dhe ekonomisë së rrënuar nga lufta. Në thellimin e varfërisë po ndikon edhe punësimi i paktë i popullatës, rreth 70 per qind të së cilës janë nën moshën 35 vjeçare. Përpjekjet e Ministrisë për Punë dhe Mirëqënie Sociale janë të fokusuara në projektet për hapje vendesh pune, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zbutjen e varfërisë. Strategjia e Punësimit 2010-2012, ka ndikuar dukshëm në hapjen e vendeve të reja të punës, thotë këshilltari Gaxhiqi, anëtar i grupit punues për hartimin e kësaj strategjie.
“Nga Projekti për Punësim të Qëndrueshëm i ministrisë sonë, që po realizohet në 29 komuna të Kosovës, janë 2.300 të punësuar, çka ndikon automatikisht në uljen e shkallës së varfërisë në vend”.
Dita Ndërkombëtare kundër Varfërisë kremtohet edhe në Kosovë
Edhe në Kosovë agjencitë e Kombeve të Bashkuara do të shënojnë Javën e Varfërisë me një sërë aktivitetesh të cilat do të fokusohen tek rinia, me qëllim të fuqizimit të saj dhe përfshirjes në jetën aktive të shoqërisë.“Sepse, të rinjtë janë agjentët e zhvillimit të mëtutjeshëm, të ndryshimit kulturor dhe përfaqësuesit tanë në të ardhmen", - thotë koordinatorja Sahatçiu. Ajo shpjegon se "Java kundër Varfërisë" në Kosovë do të fillojë me publikimin e dokumentit “Përfshirja Sociale - Njerëz pas shifrave” dhe do të përmbyllet me ndarjen e Çmimit të Varfërisë për historinë më të mirë.
Autore: Ajete Beqiraj
Redaktoi: E. Xhani