Varfëria në Kosovë
5 Gusht 2006
Shkalla e varfërisë në Kosovë është shumë e lartë dhestatistikat e shumë organizatave ndërkombëtare dhe kosovare tregojnë për një gjendje shqetësuese. KMDLNJ-së, në një raport të tij, tregon se, varfëria në Kosovë llogaritet të ketë kaluar shifrën mbi 50 përqind, në këtë mes përfshihet shkalla e varfërisë së skajshme që arrinë në 18 përqind. Me këto të dhëna pajtohen edhe zyrtarë të bankës botërore.
Për këtë gjendje të mjerueshme në Kosovë, këto organizata alarmojnë të gjith faktorët në Kosovë, që të punojnë në ndërtimin e një strategjie kombëtare përluftimin e varfërisë. Sipas tyre varfëria reflekton në mënyrë direkte edhe në lirinë e të drejtave të njeriut. Përfaqësues të KMDLNJ-së, thonë, se duhen bërë përpjekje maksimale për të gjetur forma që zbusin varfërinë, sepse sipas tyre, varfëria po ndikon edhe në rritjen e numrit të vetëvrasjeve në Kosovë.
Ibrahim Makolli, është sekretar në këshillin që mbron te drejtat e njeriut:"duhet që së paku të identifikohen tre prej fushave. Janë identifikimi i gjendjes, pasojat e kësaj gjendjeje dhe rritja e veprave kriminale që kanë në një formë ose tjetër motiv dhe çështjen e varfërisë por edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë. Ju e dini se pas luftës janë shtuar diku rreth 400 vetëvrasje në
Kosovë."
Në Kosovë ekziston ministria e punës dhe mirëqenjes sociale, mirëpo, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se, ky dikaster e ka të pamundur të zbusë varfërinë në Kosovë nëse skemat sociale të saj nuk realizohen me projekte për punësimin e qytetarëve. Mustaf Guraj, është zyrtarë në ministrinë e punës dhe mirëqenjës sociale: "Ne në Kosovë ende nuk kemi institucione që mund të zbutin varfërinë. Varfëria zbutet në rast se njerëzit ndihmohen që të gjejnë punë dhe të punësohen, sepse e mbajnë vetë veten. Ne nuk guxojmë t'i mbyllim sytë para një fakti, ka të varfër, për fat të mirë ndoshta jo shumë. Por ata që janë në numër simbolik janë në situatë edhe të vetëvrasjes, në situatë edhe të dhunës në familje, janë në situatë edhe të sjelljeve asociale, të shkeljes së ligjit dhe në situata të tjera që ne ende nuk i kemi të identifikuara", thotë Mustafë Garaj.
Sidoqoftë, gjendja sociale në Kosovë thonë zyrtarët ka arritur pikën kritike dhe për pasojë ata paralajmërojnë rrezikun për trazira të mundshme sociale. Në rritjen e nivelit të varfërisë në Kosovë ka ndikuar dhe largimi nga puna i punëtorëve nga ndërmarrjet shoqërore që tashmë janë privatizuar. Ministria e punës dhe mirëqenjës sociale, ka 43 mijë familje në listën e skemës sociale, të cilat i ndihmon me nga 40 deri në 60 euro në muaj shumë kjo që nuk mjafton as për së afëmi që të përmbush kërkesat më elementare të jetësës së këtyre familjeve.