1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varroset Sllobodan Millosheviq

Bahri Cani18 Mars 2006

Në përcjellje të Millosheviqit ishin më shumë se 100.000 njerëz, por jo edhe familjarët e ngushtë. Dashkoviq e quajti këtë varrosje të popullit dhe jo varrosje popullore.

Fotografi: AP

Mbi 20.000 simpatizantë të Sllobodan Millosheviqit u mblodhën në Pozharevc për t'i thënë lamtumirën e fundit të akuzuarit për krime lufte në Kosovë dhe Kroaci dhe gjenocid në Bosnje - Hercegovinë.
Millosheviq vdiq në burgun e Tribunalit të Hagës, me 11 mars. Ai u varros në orën 18, në oborrin e shtëpisë familjare, por pa praninë e asnjë familjari të ngushtë. E shoqja Mirjana Markoviq dhe i biri Marko Millosheviq gjenden në Rusi, ndërsa e bija Marija është në Mal të Zi. Ajo ka paralajmëruar madje edhje një proces gjyqësor për zhvarrosjen e Millosheviqit dhe transferimin e trupit të tij në Mal të Zi, në vendlindjen e paraardhësve të tyre.
Varrimi në oborr të shtëpisë u bë pasi që autoritetet e Beogradit kanë refuzuar futjen e Millosheviqit, në varrezat e përsonaliteteve të njohura në këtë qytet. Varrimi kaloi pa ceremoni shtetërore dhe pa ndonjë ditë zie.
Para dite nga Millosheviqi u ndanë edhe rreth 80.000 simpatizantë të tij, sa ishin mbledhur para kuvendit të Serbisë dhe Malit të Zi. Të cilët brohorisnin: "Kjo është Serbia" dhe "Sllobo ne të duam". Shumica prej tyre kishin ardhur me autobusë nga brendësia e Serbisë. Organizatorët thanë se ky është një varrim poullor, ndërsa ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi Vuk Drashkoviq e quajti këtë "varrosje të popullit". Drashkoviq tha se sot në Beograd është festuar "vrasësi" dhe "krimineli".
As ceremonitë e varrosjes së Millosehviqit nuk kaluan viktima. Një 60 vjeçar vdiq nga pasojat e infarktit në zemër. Ndërsa lajmi për vdekjen e një tjetri ende nuk është kofirmuar. Janë regjistruar edhe dhjetëra intervenime mjekësore. Në tubim e lexua edhe fjalimi i fundit politik i Millosheviqit, në prag të zgjedhjeve 2000, ku akuzonte opozitën dhe Zoran Gjingjiqin për tradhëti dhe bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete.
Në tubim folën edhe përfaqësuesit e radikalëve serbë, Dumës ruse dhe Partisë Komuniste të Rusisë. Në përcjellje të Millosheviqit ishin edhe disa ish- oficerë të Ushtrisë Jugosllave, të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, Nikolla Shainoviq dhe Dragolub Ojdaniq, si dhe ish - politikanët e lartë Zoran Liliq, Momir Bullatoviq, Zhivadin Jovanoviq e tjerë.
Në Beograd u organizua edhe një tubim tjetër, ku morën pjesë disa mijëra qytetarë. Ata kërkuan që politika e Millosheviqit të mos përsëritet më kurrë.
Policia kumtoi se tubimet në Beograd dhe Pozharevc kaluan pa incidente të rënda. Në qoftë se si incident nuk konsiderohet pjesëmarrja e më shumë se 100.000 njerzëve në ceremoninë e varrimit, të një të akuzuari për krime lufte dhe gjenocid.