1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë luftimet në Irak

10 Prill 2004

Përmbledhje e zhvillimeve të fundit në vend

Pamje nga bombardimi i Faluxhës
Pamje nga bombardimi i FaluxhësFotografi: AP

Në Irak po shtohet gjithnjë e më shumë kritika ndaj veprimeve të fuqisë pushtuese, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këshilli administrativ i vendosur nga amerikanët deklaroi se konflikteve në Irak u duhet dhënë zgjidhje politike. Këshilli administrativ kritikoi me forcë rrethimin e qytetit Faluxha. Sipas tij rrethimi përbën një ndëshkim kolektiv që godet civilët e pafajshëm. Luftimet në qytetin e Faluxhës kanë vazhduar edhe mëngjesin e sotëm. Kryeadministratori Paul Bremer bëri të ditur dje se:

"Forcat e koalicionit do të zbatojnë një armëpushim të njëanshëm në mënyrë që të zhvillohet një takim midis anëtarëve të të këshillit qeverisës, krerëve politikë të Faluxhës dhe drejtuesve të kryengritësve."

Sipas gjeneralit amerikan Mark Kimitt armëpushimi do të fillonte mesditën e sotme. Ndërkaq bisedimet në Faluxha kanë filluar.

Nisur nga shkallëzimi i situatës në Irak, presidenti amerikan Bush ka siguruar përkrahjen e aleatëve kryesorë. Sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë, ai ka telefonuar me kryeministrin italian Silvio Berluskoni, presidentin polak Aleksander Kvasnievski dhe me kryetarin e shtetit të Salvadorit, Francisko Flores. Të tre, e kane siguruar presidentin Bush, se do të angazhohen edhe më tej për një "Irak te lire dhe demokratik". Kryeministri italian po qëndron për një vizitë tek trupat italiane në qytetin irakian Nasirija.

Qindra mijëra besimtarë shiitë janë grumbulluar në qytetin e shenjtë të Qerbelasë për ceremoninë fetare të Arbainit, derisa në rrethinat e tij vazhdon shkëmbimi i zjarrit midis luftëtarëve radikalë shiitë dhe trupave polake.

Udhëheqësi i shiitëve radikalë Muktada el Sader, ka hedhur poshtë përgjegjësinë që i ngarkohet atij për tre pengjët japonezë ne Irak. Ai nuk ka të bëjë fare me marrjen e pengjeve, ka sqaruar një bashkëpunëtor i tij. Japonezët u morën peng të premtën, në jug të Irakut. Pengmarrësit e panjohur kishin kërcënuar se do t´i vrisnin ata, nëse Joponia nuk tërhiqte trupat e veta nga Iraku. Akutalisht në duar të kryengritësve irakianë ndodhen së paku gjashtë pengje të huaja.

Lidhur me dy gjermanët e rrëmbyer në Irak qeveria gjermane thotë se ata edhe mund të jenë vrarë.