1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdojnë protestat e murgjve në Jangun të Birmanisë

Bernd Musch-Borowska24 Shtator 2007

Me protestat po bashkohen edhe gjithnjë e më tepër banorë të Mianmarit, sikurse quhet sot ky vend i Azisë Juglindore.

Birma Mönchsaufstand in Birma Myanmar
Pamje nga protesta e murgjve budistë në BirmaniFotografi: AP

Kur karvani protestues i murgjve budistë kaloi përpara shtëpisë së Aung San Su Kyi, mbajtësja e çmimit Nobel për paqen doli me lot në sy në pragun e derës së shtëpisë, ku qëndron e mbyllur për vite me radhë në arrest shtëpie. Rruga ku gjendet shtëpia e saj mbahet e bllokuar prej forcave të sigurimit, por ata i lanë murgjit ta kalonin pikën e kontrrollit.

Më tepër se 3000 murgj morën pjesë në marshimin e heshtur të protestës në kryeqytetin e vjetër Birmanisë Jangun. Sipas dëshmitarëve okularë përreth pagodës së Shvegadonit, e cila përbën monumentin fetar qëndror të vendit ishin mbledhur më tepër se 10 000 vetë. Kjo ishte demonstrata më e madhe masive që prej shtypjes së lëvizjes demokratike në vitin 1988.

Protestat e murgjeve kundër ngritjes së çmimit të benzinës dhe të mallrave të tjera të konsumit po shkaktojnë gjithnjë e më tepër presion ndaj juntës ushtarake të Birmanisë. Murgjit budistë gëzojnë respekt të madh në radhët e banorëve të Birmanisë dhe për këtë edhe junta ushtarake e ka tepër të vështirë të ngrejë dorën kundër tyre:

Aung Naing Oo sqaroi në radion e Australisë: „Jeta e murgjve është e lidhur drejtpërdrejt me jetën e popullsisë, me gjendjen ekonomike të saj si dhe me mirëqënien. Sepse murgjit jetojnë prej lëmoshave të popullsisë dhe kur banorët vuajnë, atëhere këtë gjë e ndjejnë menjëherë edhe murgjit.“

Ka rreth një muaj që pas dyfishimit pa asnjë paralajmërim të çmimit të benzinës në Birmani janë ngritur edhe çmimet e ushqimeve dhe mallrat e tjera të konsumit, ndërkohë që gjendja ekonomike e këtij vendi ishte edhe më parë katastrofale.

Aleanca e murgjve budistë deklaroi se do t'i vazhdojë protestat paqësore deri në përmbysjen e regjimit ushtarak.

Por ndërsa presioni i brendshëm ndaj sundimtarëve të Mianmarit po shtohet, ata nuk kanë pse të kenë frikë prej presionit të vendve fqinjë apo të OKB-së. Shumë vende të ASEAN-it bëjnë biznes të madh me Birmaninë dhe për këtë i kursejnë kritikat. Madje Kina bllokoi me veton e saj edhe një rezolutë të paraqitur në fillim të vitit prej SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit.

Protestat paqësore aktuale në Mianmar janë më të gjatat e popullsisë që prej shtypjes me dhunë prej ushtrisë të revoltave të lëvizjes demokratike në vitin 1988.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW