Vazhdon riatdhesimi i kosovarëve nga vendet e treta
20 Dhjetor 2010
Familja Rrustemi nga komuna e Skënderajt, megjithëse e riatdhesuar para tetë muajsh ajo ende nuk ka arritur ta kap fillin e jetës në Kosovë. Sepse, jeta në Gjermani për të cilën shiten plang e shtëpi, pas dy dekadash ju rrënua brenda nate.
„Mirëpo avokati na tha se nuk ka shancë me ju kthy. I thashë: “Mua po m´thonë komuna që duhet me u kthy!” Tha: “A po m´beson mu apo komunës”? Dhe, s´kaloi as një javë dhe policia erdhi në tre të natës…”, rrëfen kryefamiljari 48 vjeçar, Bedri Rrustemi, familja e të cilit në fillim të këtij viti u dëbua nga Gjermania në Kosovë.
“Ura” mbështet integrimin e të riatdhesuarve nga Gjermania
”Projekti Ura i cili financohet nga Zyra Federale për Migrim dhe Refugjatë si dhe landet: Baden-Wuerttemberg, Saksonia e Ulët si dhe Renania Veriore e Vestfalisë, të gjithë të kthyerve vullnetarë dhe të dëbuarve nga Gjermania iu ofron mbështetje të shumëfishtë për riintegrim në shoqërinë kosovare. Në tri vitet e fundit për këtë qëllim janë ndarë rreth 4 milionë euro, 630 mijë prej të cilave vetëm për vitin 2010. Nga projekti “Ura” ka përfituar edhe familja Rrustemi, e cila pas shtatë muajsh ndihmë nga URA është gjetur në udhëkryq.
"Shtatë muaj nga projekti Ura kemi marrë nga 300 euro për banesë e 300 të tjera për ushqim. Për këtë kohë nuk e kemi ndjerë krizën. Pastaj na vazhduan edhe dy muaj me nga 150 euro për banesë. Ndërsa prej datës 19-të, Ura s´na paguan as ushqimin as banesën.”
Në vitin 1999, Gjermania kishte rreth 200.000 refugjatë kosovarë, kthimi i të cilëve filloi pas pavarësimit të Kosovës. Në bazë marrëveshjejes për riatdhesim në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, brenda vitit 2010 parashihej riatdhesimi i 2.500 kosovarëve të tjerë nga Gjermania. Mirëpo, në periudhën janar-shtator 2010, nga Gjermania për në Kosovë janë dëbuar vetëm 620 persona.
“Pra, Gjermania këtë vit s´do të kalojë shifrën prej njëmijë personash të kthyer, që don të thotë se shteti gjerman nuk është i interesuar t´i bëjë trysni Kosovës që të kthejë me shumë për një vit. Ai vetëm do të shohë vullnetin tonë dhe gatishmërinë t´i pranojmë këta përsona kurdo që t´iu vie momenti. Dhe natyrisht, pranimi I tyre është obligim shtetëror sepse ata janë shtetas të Kosovës”, shpjegon Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamentit për Mirëqenie Sociale në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kosovës.
Sipas tij kjo nuk është edhe aq e thjeshtë, pasi që: “Unë s´kam marrë asnjë cent shtesë për këtë detyrë shtesë që ka ngarkuar qeveria. Të gjitha mjetet për akomodimin e tyre janë siguruar nga Divizioni i Shërbimeve Sociale, të cilat kanë qënë të parapara për tjera çështje. Shpresojmë se qeveria tani do të krijojë një fond të veçantë, i cili është shumë I domosdoshëm për sigurimin e banimit të të pastrehëve”.
I riatdhesuar e pa perspektivë
Ndër këta të pastrehë është çifti Rrustemi nga Skënderaj, e cila si shumë familje shqiptare para 18-të vitesh zbarkoi si refugjatë në një qytet të Saksonisë së Ulët, ku krijoi edhe familjen. Por, në muajin e nëntë të riatdhesimit të tyre në Kosovë ata do të shkelin pa një strehë mbi kokë as pa një burim të vetëm ekzistence.
"A ka kund n´botë që tetë muaj mos me lanë kund zyrë pa trokit, nga nivelet ma t´ulta e deri në instancat ma t´larta, e askush mos me ta dhanë një përgjegje pozitive? Une s´po shoh perspektivë askund. Banesë-jo, shpi-jo, tokë-jo, pasuni kurrfare…Veç n´mëshirën e Allahut” As dy sahat gjumë s´i baj tuj mendu çka do t´bahet nesër. Çka do t´bahet?!”, rrëfen kryefamiljari Bedri Rrustemi, sipas të cilit shkollimi I fëmijëve në Kosovë është një sfidë shtesë.
„Fëmijët shkojnë në shkolle…Por, djali i madh jo më, se një ditë e ka pas një rrahje në shkollë dhe do nxënësve më të mëdhenj ju ka pa n´dorë armë a thikë, e ka marr frikë. Kush si e çon mo s´ka! Drejtori m´tha sille, por kam frikë se do t´vie deri te më e keqja. E n´Gjermani kurrë fëmijët e mi me kënd s´kanë pas problem“, thotë z. Rrustemi, përderisa bashkëshortja e tij Bahrija shton se integrimi i fëmijëve në Kosovë është problemi më i madh krahas atij të papunësisë.
„Edhe unë kam lyp punë çdokund ku mund të punoj një femër, por s´kam mujt me gjet kurrkund. Ndërsa, problemi ma i madh janë fëmijët që s´janë integru asnjë fije se gjithë kohën e kanë mendjen n´Gjermani, atje ku kanë lind e kanë jetu. Edhe n´shkollë po thonë se po shkojmë kot, se s´po kuptojmë kurrgja. Notat nuk i kanë hiç t´mira. Por, me pas me na ndihmu t´paktën një punë me e gjet, bile këtë krizë me e thy pak…“.
Arsimtarët më parë na përqeshin sesa na mësojnë
Genta, 17 vjeçare, vajza e madhe e kësaj familjeje e lindur dhe e rritur në Gjermani, thotë se vijimi i mësimit në gjuhën shqipe i bie shumë vështirë.
„Ne n´shkollë e kemi shumë ma problem se fëmijët e tjerë. E arsimtaret, ma para bajnë hajgare me mua sesa me ndihmojnë, sepse nuk e di gjuhën. Më thonë: „Pse nuk e din gjuhen? Ti shqiptare je!“, e qesi fjalësh palidhje. Unë s´them asgjë, sepse kot flet kur atyre nuk ju intereson“, rrëfen Genta, dy vëllezërit e së cilës, Atdheu dhe Kushtrimi flasin rrjedhshëm vetëm gjermanisht. Përderisa, edhe lidhjet me jetën në Gjermani po zbehen përditë.
“Sepse, nuk kemi mundësi të kontaktojmë. Veç kur shkoj te dajët që hi nganjëherë n´internet, se tjetër jo“, thotë Genta e re, zgjidhja e vetme për të cilën është kthimi në Gjermani. „Ma s´miri kish pas me qenë me u kthy ne Gjermani“.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Esat Ahmeti