Vdekje, shkatërrim, dëshpërim: Gaza pas një viti lufte
8 Tetor 2024"Më 7 tetor u zgjuam nga zhurma e raketave. Ishte një zhurmë e tmerrshme, e gjithë situata ishte e tmerrshme, filluam të shikonim lajmet dhe mësuam se çfarë kishte ndodhur," tha Varda Younis për Deutsche Wellen përmes një mesazhi me tekst nga veriu i Gazës. "Që nga ajo ditë filloi një frikë e thellë që nuk është largua.”
Që nga sulmet e vitit të kaluar të Hamasit në Izraelin jugor, asgjë nuk është më për banorët e Rripit të Gazës siç ishte. Deri atëherë, Izraeli dhe Egjipti kishin kontrolluar fort kufijtë e enklavës. Por në orët e hershme të 7 tetorit, militantët e udhëhequr nga Hamasi, që kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera, lëshuan një breshëri raketash dhe çanë gardhet kufitare, duke hyrë në territorin e një festivali muzike dhe në Kibuz (ngulim kolektiv. shën red.).
Rreth 1200 izraelitë u vranë nga sulmet e Hamasit, militantët morën 250 pengje në Gaza. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj në të njëjtën ditë, duke filluar sulme të rënda ajrore dhe artilerie në të gjithë enklavën palestineze.
"Unë humba shoqen time më të mirë në ditën e tretë të luftës. Shtëpia e saj u bombardua plotësisht dhe më kujtohet se isha aq i tronditur. Ishte rraskapitëse nga ana psikike," rrëfen Younis, që jetonte në katin e shtatë të një pallati në Sheikh Radnan, një lagje në qytetin verior të Gazës.
Njerëzit në Gaza e dinë çdo të thotë të jetosh me konfliktin, pasi Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar në katër luftëra të mëparshme që nga viti 2007, koha kur Hamasi mori pushtetin me dhunë nga Autoriteti Palestinez. Megjithatë, shumë nuk prisnin që lufta të zgjaste kaq gjatë ose të ishte kaq shkatërruese. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi e nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve, më shumë se 41,400 njerëz janë vrarë në Gaza vitin e fundit. 96,000 të tjerë janë plagosur dhe të paktën 10,000 raportohen të zhdukur.
Ndihmë e kufizuar në Gaza: 'Ne kemi ngrënë gjethe pemësh dhe bar'
Furnizimet në enklavë mbaruan shpejt që në javët e para të luftës, kujton Varda Younis. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Joav Galant kishte urdhëruar "pushtimin e plotë" të territorit pas sulmit terrorist. Situata u bë kritike, veçanërisht në veri të Rripit të Gazës, dhe organizatat e ndihmës paralajmëronin me muaj të tërë për një zi buke të afërt - një paralajmërim që autoritetet izraelite e refuzonin. Younis rrëfen, se nuk mund të gjente miell apo bukë gjatë asaj kohe. "Ne arritëm në fazën ku hëngrëm gjethet e pemëve dhe barin. Ne kurrë nuk e imagjinonim në jetën tonë se mund t'i hanim ato," tha ajo.
Kur autokolonat e ndihmës së parë arritën në veri, ajo ishte dëshmitare e dhunës dhe vdekjes ndërsa njerëzit përpiqeshin për të marrë ushqim dhe ndihma. Disa vende ofruan ndihma nga ajri pasi as presioni ndërkombëtar nuk arriti të bindte Izraelin të hapte më shumë vendkalime për dërgesat e ndihmave.
"Unë shkoja aty ku hidheshin ndihmat nga balonat çdo ditë," tha Younis. "Vrapoja për të marrë diçka dhe, në fund, nuk merrja asgjë, sepse kishte banditë që kontrollonin gjithçka”. Younis thotë situata me ushqimin është përmirësuar që atëherë, por frika dhe ndjesia se je kaq pranë ndaj vdekjes kanë mbetur.
'Shumë njerëz janë thellësisht të traumatizuar'
Në dymbëdhjetë muajt e fundit, Younis dhe tre fëmijëve të saj adoleshentë u është dashur të kërkojnë një vend për të jetuar të paktën nëntë herë. Si shumë njerëz të tjerë, ajo ka humbur ndjenjën e kohës në kërkimin e saj të vazhdueshëm për strehim. Kur ushtria izraelite urdhëroi banorët e Rripit verior të Gazës të iknin në jug përpara se të fillonte ofensiva tokësore, Younis vendosi vendosi të qëndrojë.
Pjesa veriore e Rripit të Gazës tani është pothuajse plotësisht e ndarë nga jugu nga i ashtuquajturi Korridori Netzarim, një rrugë me postblloqe ushtarake të sapondërtuara nga Izraeli. Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 1.9 milionë nga 2.2 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe tani jetojnë tejet ngushtë në strehimet që gjejnë në Rripin jugor të Gazës. Shumica e njerëzve atje tani varen nga ndihmat humanitare, raportojnë organizatat e ndihmës.
Amjad Shava ka punuar gjithmonë në sektorin humanitar dhe drejton PNGO, një organizatë ombrellë e organizatave joqeveritare palestineze. Edhe ai duhej të largohej nga qyteti i Gazës, por tani ka krijuar një "qendër" për punonjësit e ndihmës humanitare në qytetin jugor të Deir al-Balah. Këtu, punonjësit e OJQ-ve mund të takohen, të përdorin internetin dhe të punojnë nën një çati. Hezitoja të ikja, rrëfen ai, por "familja ime këmbënguli për këtë". "U thashë se është vetëm për disa orë dhe do të kthehemi së shpejti. Prandaj nuk kam marrë asgjë me vete nga shtëpia. Ato pak orë, disa ditë tani janë kthyer në një vit."
Ai vlerëson se rreth një milion njerëz po strehohen në Deir al-Balah, shumë prej tyre në tenda ose strehimore të improvizuara prej pëlhure të gomuar dhe plastikë. Të tjerë kanë gjetur apartamente ose kanë qëndruar te të afërmit. "Unë mund ta shoh në fytyrat e tyre," thotë Shava. "Shumica e njerëzve janë thellësisht të traumatizuar. Ata kanë humbur gjithçka. Shumë kanë humbur të dashurit. Shumica kanë humbur të ardhurat dhe shtëpitë e tyre." Sipas tij, shumë duan të kthehen në veri, edhe nëse shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Por kthimi i tyre varet nga vendimet politike që do të duhej të ishin pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.
Ndihma humanitare me rrezik, por "krijon pak shpresë"
Puna e punonjësve të ndihmës humanitare është me rrezik dhe e vështirë, thekson Shava. Shumë ndihmës vullnetarë kanë humbur jetën ose vetë anëtarët e familjes dhe pothuajse të gjithë përjetojnë të njëjtën situatë si ajo e njerëzve që duhet t'u ndihmojnë. "Nuk ka asnjë mënyrë si të përballesh me këtë apo ta trajtosh." Shava shton, se problemi është se nuk ka një fund të parashikueshëm. Megjithatë ai përpiqet të ruajë njëfarë shprese dhe të rrënjos kurajë tek ata që e rrethojnë.
Rripi i Gazës, në të cilin ai lindi dhe u rrit, nuk është më. Pjesë të mëdha territori konsiderohen të shkatërruara; Organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se më shumë se 60 për qind e shtëpive janë dëmtuar. Shkollat, spitalet dhe dyqanet janë rrënuar. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se sulmet ajrore izraelite dhe luftimet tokësore kanë shkaktuar tashmë më shumë se 40 milionë tonë mbeturina në të gjithë Rripin e Gazës.
Gaza mund të rindërtohet, beson Shava, por gjëja më e rëndësishme tani është e tashmja dhe "që të qëndrojmë gjallë". Shumë prej palestinezëve e kanë humbur besimin tek ndihma e komunitetit ndërkombëtar. "Ajo që po përjetojmë këtu është edhe për shkak të dështimit të komunitetit ndërkombëtar për t'i dhënë fund kësaj lufte ose të paktën për të mbrojtur popullsinë civile", shton punonjësi humanitar.
Familje të dëshpëruara
Rita Abu Sido dhe familja e saj nuk e kishin këtë mbrojtje. 27-vjeçarja mundet të kujtojë vetëm fragmente të muajve të parë të luftës. Ajo aktualisht ndodhet në Egjipt me motrën e saj Farah. Të dyja po marrin kujdesin mjekësor atje. Dy motrat janë të vetmet të mbijetuara nga familja e tyre. "Sulmi ishte rreth mesnatës së 31 tetorit. Unë isha zgjuar dhe i thashë motrës sime Farah se mund të vdisnim. Ajo mban mend gjithçka. Unë thjesht e kujtoj si ëndërr këtë," u shpreh Rita për DW nga Kajro.
Nëna e Abu Sidos, dy motrat e saj më të vogla, 15 dhe 16 vjeç dhe vëllai i saj 13-vjeçar vdiqën atë natë. Rita dhe motra e saj, e cila po vizitonte Gazën si stjuardesë praktikante kur shpërtheu lufta, u plagosën rëndë dhe u dërguan në spitalin Al-Shifa pa dokumente identifikimi.
Abu Sido rrëfen, se pati lëndime në mushkëri dhe djegie, kurse motra e saj pësoi një frakturë të legenit dhe lëndime kurrizore. Me afrimin e luftimeve midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit, të dyja u transferuan fillimisht në Spitalin Evropian në Khan Yunis për shkak të plagëve të rënda. "Shëndeti im mendor ishte i dobët pasi mësova për humbjen e familjes sime. Më duhej kohë për të kuptuar ambientin ku ishadhe situatën time. Isha agresive dhe nervoze."
Me ndihmën e miqve të familjes, motrat mundën të largoheshin nga Rripi i Gazës përmes pikës kufitare Rafah në shkurt për të marrë trajtim në Egjipt. Ebu Sido raporton se asaj i është kthyer zëri, të cilin e kishte humbur prej disa kohësh, dhe motra e saj është duke iu nënshtruar terapisë fizike. Por trauma e humbjes së familjes do ta ndjekë atë për gjithë jetën.
Edhe pse janë në siguri në Egjipt, situata e tyre, ashtu si e shumë palestinezëve të tjerë që kanë ikur në Egjipt, është e pasigurt. Shumë prej tyre nuk kanë status ligjor dhe varen nga mbështetja e të afërmve dhe organizatat e ndihmës. Nuk dihet, nëse Abu Sido do të jetë në gjendje të kthehet ndonjëherë në Gaza. Kjo varet edhe nga zhvillimet politike tek të cilat ajo nuk ka ndikim. "Kthimi në Gaza është një sfidë. Do të duhet kohë," thotë ajo. Brezi i ardhshëm, brezi ynë, duhet të ketë vullnetin për të rindërtuar.