1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vdiq Amy Winehouse, simbol i suksesit dhe skandaleve

Bahri Cani24 Korrik 2011

Këngëtarja britanike, Amy Winehouse, ka vdekur. Kufoma e 27-vjeçares u gjet ditën e shtunë (23.07) në banesën e saj në veri të Londrës. Dyshohet se ajo ka vdekur nga mbidoza e alkoholit dhe drogës.

Amy Winehouse
Amy WinehouseFotografi: dapd

Jo pak njerëz kanë llogaritur me vdekjen e saj. Prej vitesh Amy Winehous luftonte me problemet e alkoholit dhe të drogës. Ajo kishte humbur shumë në peshë dhe trupi i saj ishte shumë i dobët. Këtë proces e kishin parë shumë, por asgjë nuk kishte arritur që ta ndihmonte këtë grua. Edhe qëndrimi shpesh në klinikën e rehabilitimit nuk i kishte sjellur sukses. Tani këngëtarja 27-vjeçare u gjet e vdekur në banesën e saj në veri të Londrës.

Albumi i saj i parë "Frank" doli në vitin 2003. Atëherë ajo në një inetrvistë pati thënë: „Unë fillova të merrem me muzikë si një sfidë për mua, për të parë nëse mundem të arrij në muzikë. Nuk kisha asgjë tjetër çfarë unë pëlqeja. Unë kam dëgjuar Jazz dhe këngët e të mëdhenjve, si James Taylor dhe Carole King. Unë mendoj se nuk ka asgjë tjetër që mua t'më pëlqejë më shumë dhe që mua t'më përshtatet më mirë. Kështu e kam nisur për të bërë më pas përvojën time."

Krahasimet me Beatles

Suksesi ...Fotografi: AP

Më pas ajo nxorri albumin e dytë në 2006 „Back to Black“. Ky album bindi si kritikën ashtu dhe publikun. U shitën dhjetë milionë kopje dhe me këtë album fitoi pesë çmime Grammy.

Tani ajo ishte një yll. Zëri i saj konsiderohej si një zbulim i madh në vitet e fundit. Gazetari për muzikë Dan Wootton e krahason atë edhe me Beatles: „Ajo ishte një legjendë britanike e vërtetë, një nga sukseset e pakta të muzikes britanike Pop qysh prej Beatles", thotë ai.

Ajo vetë përshkruante veten si një grua e zezë me një trup të bardhë. Winehouse, e cila në 14 shtator do të kishte mbushur 28-vjeç, njihej për vokalet e saj tepër të fuqishme dhe miksimin eklektik të disa zhanreve muzikore si R&B, soul, dhe jazz.

Por suksesin ajo nuk e përballoi. Më së vonti në vitin 2007, ajo filloi të zbresë nga lavdia ku ishte ngjitur. U martua me një burrë, i cili ishte i varur nga droga dhe kjo ndikoi më tej kur ajo hipte në skenë. Ndarja nuk vonoi gjatë.

Problemet serioze me drogë

Por ekseset e alkoholit dhe të drogës vazhduan. Në vitin 2008, në një koncert, ajo impresionoi njerëzit me trupin e dobësuar dhe me xhestet në skenë. Ajo vuante ndër të tjera nga emfizema në mushkëri, e cila mund të shkaktohet nga pirja e tepërt e duhanit, por edhe nga përdorimi i kokainës.

... dhe skandaletFotografi: AP

Në qershor të këtij viti ajo donte të fillonte një turne të ri. Por u desh të ndërprejë koncertin në Beograd, ku pati një shfaqje skandaloze. Të pranishmit thonë se ajo ishte tërësisht e dehur. Turneu i koncerteve u ndërpre. Prej vitesh tifozët e saj prisnin nga ajo një album të ri, por albumi nuk erdhi kurrë, sepse shëndeti i saj ishte goditur.

Vazhdimisht gazetat bulevardeske do të mbusheshin me pamje të ekseseve të saj. Fotografët prisnin para shtëpisë së aj në Londër, për t'i bërë fotografi këngëtares së dobësuar dhe të sëmurë apo edhe të neveritshme. Megjithatë me vdeken e saj bota e muzikës humbi një zë të jashtëzakonshëm.

Autor: Torsten Huhn/Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Bahri Cani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW