1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Velje nga politika para referendumit në Rumani

Keno VerseckPandeli Pani25 Korrik 2012

Më 29 korrik në Rumani zhvillohet një referendum për shkarkimin e presidentit. Por shumë vetë kanë halle të tjera.

ARCHIV - Ein Demonstrant hält am 01.01.2007 in Bukarest eine rumänische und eine EU-Fahne. Der Weg für Serbien ist frei: Nach jahrelangem Warten wird das Land EU-Beitrittskandidat. Rumänien und Serbien haben sich in letzter Minute über den Schutz der walachischen Minderheit in Serbien geeinigt. Foto: Robert Ghement dpa (zu dpa 1695 vom 01.03.2012) +++(c) dpa - Bildfunk+++ pixel
Fotografi: AP

Në tregun qendror të qytetit Kluzhit në Transilvani të Rumanisë, njerëzit ankohen për çmimet e larta të ushqimit. Unë nuk do të marr pjesë në referendum, thotë një grua e moshuar që jeton me rreth 140 euro pension në muaj. "Politikanët janë të gjithë hajdutë", thotë ajo me neveri. Si ajo mendon edhe një mësues 52-vjeçar:" Ata grinden vetëm për pushtet!" Ai thotë se nuk e di akoma, nëse do të marrë pjesë në referendum.

Ashtu si pensionistja dhe mësuesi në tregun e Kluzhit mendojnë shumë vetë në Rumani. Velja prej politikës ka arritur nivele rekord. Programi drastik i kursimit që filloi dy vitet e fundit, u ka shkaktuar shumë njerëzve vështirësi të mëdha materiale. Sistemi shëndetësor është duke vuajtur nga eksodi i mjekëve në vendet e huaja, në arsim mbretëron kaosi. Për të gjitha këto shumë rumunë bëjnë kryesisht përgjegjës presidentin Traian Bashesku dhe demokratët liberalë e tij që ishin deri në fund të prillit në pushtet.

Traian BăsescuFotografi: picture-alliance/dpa

Betejë mes baronëve të dy kampeve për pushtet

Referendumi për fatin Basheskut është kulmi i luftës së hidhur për pushtet në mes të shumicës aktuale social-liberale në pushtet dhe mbështetësve të presidentit.

Në fakt kjo është "betejë mes baronëve të dy kampeve", thotë publicisti dhe historiani nga Universiteti i Kluzhit Ovidiu Pecican për luftën për pushtet. Megjithatë, qeveria i ka shkelur pa mëshirë rregullat e lojës demokratike.

Qeveria rumune përbëhet nga një aleancë treshe mes "Bashkimit Social Liberal" (USL), që përfshin ndër të tjera, Partinë Social Demokratike (PSD). Pas vitit 1989 kjo qe një rezervuar për krerët shërbimit sekret dhe ish-partisë të kohës së diktaturës së Çausheskut. Kjo aleancë arriti shumicën në fund të prillit, kur disa deputetë partish të tjera kaluan në radhët e USL-së.

Ndryshimi i pushtetit për shkak të kalimit të deputetëve nga një parti në tjetrën apo formimi i aleancave të reja partiake janë një praktikë e zakonshme në Rumani, sidomos në periudhën e fundit përpara zgjedhjeve, kur deputetët kalojnë shpejt në anën e fituesit të mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme.

Kritika nga BE

Mandati i presidentit përfundon në vitin 2014. Po USL nuk do të presë kaq gjatë deri në marrjen e plotë të kontrollit në vend. Pa kaluar as tre javë në pushtet qeveria e kryeministrit Viktor Ponta filloi në fund të qershorit përgatitjet për shkarkimin e presidentit. Që të mos ndodhte ndonj gjë e paparashikuar, me dekret u cunguan kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe u ndryshua ligji për referendumet.

Viktor PontaFotografi: picture-alliance/dpa

Përveç kësaj u ndryshuan edhe kryetarët e dy dhomave të parlamentit dhe Avokati i Popullit. Më 6 Korrik me një shumicë parlamentare u miratua më në fund pezullimi i presidentit. Kjo gjë tani pritet të konfirmohet të dielën (29 korrik) në një referendum.

Qeveria e Pontas dhe presidenti i përkohshme Crin Antonesku nuk e kishin pritur se veprimet e tyre do të kishin një jehonë katastrofale brenda dhe jashtë vendit. Në Rumani shumë opinionistë dhe intelektualë, madje edhe kritikë të presidentit Traian Bashesku, i quajnë këto veprime "puç" ose "një lloj grusht shteti",

Seanca parlamentare ku u miratua pezullimi i presidentit, 6.7.2012Fotografi: AP

Komisioni Evropian ka reaguar jashtëzakonisht ashpër duke e akuzuar qeverinë Ponta për mospërfillje të rregullave demokratike dhe ligjit dhe duke kërcënuar me sanksione të ashpra Rumaninë, përfshi edhe heqjen e të drejtës të votës për Rumaninë në organet e BE-së. Vendi për momentin është nën vëzhgimin e fortë të BE-së, anëtarësimi në zonën Shengen, është një herë për një herë një vizion i largët.