1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zyra e ish - shefit të Shtazit

16 Janar 2012

Aty kur dikur kishte qendrën Sigurimi i Shtetit (Shtasi) i Gjermanisë lindore komuniste, RDGJ, ndodhet sot një muzeum. Në të vizitorët mund të krijojnë një ide se si spiunohej dhe shtypej populli në atë kohë.

Dhoma e punës së shefit të Shtasi-t, Erich Mielke
Dhoma e punës së shefit të Shtasi-t, Erich MielkeFotografi: BStU

Me shumë ngjyra, kjo është përshtypja e parë që krijon kur sheh dhomën e punës të sapo restauruar të Erich Mielke-s. Tapeti është i kuq dhe mbi të ndodhet tavolina ngjyrë kafe e çelët. Blu e ndritshme është ngjyra e jastëve të karrigeve, ku ulej gjithnjë shefi i Shtasi-t. Edhe divani që duket i rehatshëm në një qoshe të dhomës, ka po këtë ton ngjyre. Erich Mielke, i cili drejtoi nga viti 1957 deri në 1989 Shërbimin e Sigurimit të Shtetit në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ), preferonte me sa duket të punonte në një ambient me ngjyra të gjalla. Në kokën e tij kishte vetëm mendime bardhë e zi. "Armik është ai që mendon ndryshe" kështu quhet ekspozita, që mund të shihet tani në qendrën e dikurshme të Shtasi-t.

Përpara se të hapej për publikun zyra e Mielke-s, duhej bërë restaurimi i të gjithë godinës 1, ku ndodhet ajo. Restaurimi për rivënien e ndërtesës në përdorim ka kushtuar rreth 11 milionë euro. Sekretari i Shtetit për Kulturën dhe Mediat, Bernd Neumann, është i kënaqur me rezultatin: "Restaurimi i monumenteve historike, siç është një vend, ku kanë vepruar autorët e krimeve, përbën një gur të rëndësishëm themeltar në zbardhjen e diktaturës gjermano- lindore. Pikërisht nga kjo ndërtesë është ushtruar terrori çnjerëzor që karakterizoi diktaturën e RDGJ-së, si një shtet i shtypjes dhe represionit."

Kryetari i shtetit dhe i partisë, Erih Honeker i jep më 1985, shefit të Shtasi-t, urdhërin "Karl Marks"Fotografi: BStU

Më 15 janar 1990, gra dhe burra të guximshëm sulmuan qendrën e Shtasi-t në lagjen Lichtenberg të Berlinit, me qëllim për të shpëtuar prej asgjësimit miliona dakumenta, si dhe pjesë të rendësishme të mobiljeve të ndërtesës nr. 1. Interes të madh zgjojnë tani detajet e vogla, mes tyre një pajisje origjinale telefonimi me një buton të kuq alarmi dhe lidhja direkte me "KQ", Komitetin Qendror të partisë në pushtet, Partisë së Bashkuar Socialiste (SED).

Falë aktivistëve për të drejtat e njeriut, pas revolucionit paqësor në RDGJ, vende autentike u kthyen menjëherë në vende përkujtimore. Organizatori i Muzeumit të parë privat për Shtasi-n ishte "Aksioni antistalinist" (ASTAK). Përmes ekspozitave, publikimeve dhe aktiviteteve me dëshmitarë okularë, kjo iniciativë private e mbajti të  gjallë për 22 vjet me radhë kujtesën ndaj veprimeve çnejrëzore të Shtasi-t.

Më 15 janar 1990, gra dhe burra të guximshëm sulmuan qendrën e Shtasi-t në lagjen Lichtenberg të BerlinitFotografi: picture-alliance/ ZB

Shembuj tipik të përjetimeve të qytetarëve të RDGJ-së mund të shihen tani në ekspozitë. Mes rasteve të njohura bën pjesë edhe largimi nga vendi i kompozitorit, Wolf Biermann. Edhe spiunimi i Roland Jahn është dokumentuar.

58 vjeçari u zgjodh në vitin 2011 i ngarkuar i qeverisë gjermane për dosjet e Shtasi-t. Është gjithnjë mbresëlënëse të kalosh në këtë ndërtesë, thotë Jahn:  "Dhe gjithnjë mua më kujtohet dita kur kam qenë për herë të parë në këtë ndërtesë. Kjo ka ndodhur 22 vjet më parë, kohët ishin emocionuese. Shtas-i ndodhej ende brenda. Dhe këtë ditë të sulmit ndaj qendrës së Shtasi-t unë takova një shok nga opozita e RDGJ-së. Ai tha që atë ditë: "Këtu duhet ngritur një muzeum."

Roland Jahn, i ngarkuari i qeverisë gjermane me dokumentat e Shtasi-tFotografi: Picture-Alliance/dpa

Një vizion është bërë realitet, thotë Jahn. Ai është i kënaqur për rritjen e interesit ndaj kuartierit, ku vepronte Shtasi-t, që ndërkohë  është kthyer në një vend historie dhe edukimi politik. Prej saj duhet të përfitojnë kryesisht të rinjtë, që e njohin Shtasi-n dhe diktaturën e RDGJ-së vetëm nga librat e historisë. 

 Autor: Marcel Fürstenau/ Aida Cama

Redaktoi: