1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutschland Afghanistan

24 Gusht 2009

Misioni i Bundesverit në Afganistan ishte deri tani vetëm një temë e dorës së dytë në fushatën parazgjedhore në Gjermani. Por pas zgjedhjeve në Afganistan, kjo po ndryshon.

Kancelarja Angela Merkel në Kundus tek ushtarët gjermanë.
Kancelarja Angela Merkel thekson se parakushti për tërheqjen e trupave nga Afganistani është vendosja e sigurisë atje.Fotografi: AP

Pas zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, kancelarja Angela Merkel dhe kandidati socialdemokrat për kancelar, Frank-Walter Steinmeier, kanë dhënë deklarata për ardhmërinë e misionit në Afganistan dhe synimet e tyre.

Misioni i ushtarëve gjermanë në Afganistan nuk do të jetë një prej temave më të nxehta në fund të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të shtatorit. Kancelarja Angela Merkel, dhe kundërkandidati i saj, socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier, kanë qendrime të ngjashme. Që të dy ata mendojnë se duhet të vazhdojë misioni i rreth 4000 ushtarëve gjermanë atje.

Sulmet e fundit vlerësohen si shenjë se vendi akoma nuk është i qetë dhe stabil, siç do të dëshironte bashkësia ndërkombëtare.Fotografi: AP

Por kandidati i SPD-së për kancelar, ministri i jashtëm Steinmeier, theksoi se Bundeveri nuk mund të kuptohet si ushtri okupatore. Qëllimi i misionit është siguria më e madhe dhe ndihma e afganëve për marrë përgjegjësinë për zhvillimet në vendin e tyre. "Ne nuk jemi futur atje pa kokë dhe nuk do të dalim pa menduar mirë. Por, me presidentin e ri të Afganistanit duhet të merremi vesh për kohëzgjatjen e qedrimit të ushtarëve tanë në këtë vend dhe mundësinë e përfundimit të misionit." Në rast fitore, Steinmeier do të fillonte bisedimet për planin e tërheqjes së trupave, por kandidati socildemokrat nuk flet për planet konkrete. Ai nuk do të flasë për afatet, sepse një lojë e tillë do t'i shkonte në favor talibanëve.

As kancelarja Merkel nuk flet për afate të caktuara për tërheqjen e ushtarëve gjermanë nga Afganistani. Ajo thekson se parakushti për tërheqjen e trupave është vendosja e sigurisë në këtë vend. "E them vetëm se atje duhet të vendoset siguria sa më parë që të jetë e mundur. Ajo që më bashkon me ministrin e Jashtëm është fakti se nuk duhet të flasim për afatet kohore por për synimin përfundimtar."

Këtë strategji nuk e mbështesin të gjithë anëtarët e Unionit të partive CDU-CSU. Ish - ministri i Mbrojtjes Volker Rühe, angazhohet për tërheqjen e Bundesverit mbas dy viteve. Sipas tij, afganët nuk do të angazhohen sa duhet, në qoftë se e dinë se trupat e NATO-s do të mbeten atje edhe 10 vjet. I mendimit krejt tjetër është ministri aktual i Mbrojtjes, Franz Josef Jung, i cili pohon se Bundesveri duhet të mbetet në Afganistan edhe pesë deri 10 vjet.

Kandidati i SPD-së për kancelar, ministri i Jashtëm Frank Walter Steinmeier, thotë se në rast fitoreje, do të fillonte bisedimet për planin e tërheqjes së trupave.Fotografi: AP

Vazhdimi i një pune të tillë edhe për 10 vite të tëra, nuk është obsioni më i mirë, pohon Steinnmeier, duke sfiduar kështu kreun e Unionit CDU - CSU. "Mua më nevrikos kakofonia që dëgjohet në këtë momente në radhët e Unionit."

Se me cilin president do të bisedojë në fund qeveria federale gjermane për ardhmërinë e misionit të ushtarëve gjermanë në këtë vend, ende nuk është e qartë. Shumë afganë kanë votuar, pavarësisht kërcënimeve të talibanëve, fakt që është vlerësuar prej të gjitha partive në Berlin. Njëkohësisht, sulmet e fundit vlerësohen si shenjë se vendi akoma nuk është i qetë dhe stabil, siç do të dëshironte bashkësia ndërkombëtare. Opozita në Berlin kërkon angazhim më të madh në krijimin e forcave afgane të sigurisë si dhe forcimin e adminsitratës dhe drejtësisë.

Trupat e dy ushtarëve gjermanë të vrarë nderohen në një ceremoni mortore në Kishën e Alekstandrit në Zweibruecken, 24 tetor 2008.Fotografi: AP

Claudia Roth, e partisë ekologjiste pohon: "Strategjia e deritanishme ku dominon zgjidhja ushtarake nuk është ndonjë zgjidhje e mirë. Dërgimi i ushtarëve të tjerë nuk është zgjidhje, sepse nuk garanton më shumë por më pak siguri."

E vetmja parti e cila angazhohet për tërheqjen e ushtarëve është e Majta gjermane. Duke e ditur se shumica e gjermanëve janë kundër këtij misioni, kjo parti e ka hedhur këtë kërkesë në plan të parë të fushatës.

Autor : Nina Werkhäuser / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama