1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Veprimtarë të të drejtave të njeriut kërkojnë ligje kundër përgjimit

Mirjam Gehrke/ Auron Dodi22 Janar 2014

Spiunimi i emaileve private dhe i celularëve shkel të drejtën bazë për sigurinë e të dhënave, thonë veprimtarë të të drejtave të njeriut. Ata kërkojnë baza të qarta juridike, për t'u treguar vendin shërbimeve të fshehta.

Demonstrate Anti-NSA ne Uashington
Fotografi: DW

Shërbimi i Fshehtë i SHBA, NSA ka mbledhur në të gjithë botën çdo ditë afërsisht 200 milionë mesazhe tekst sms, bënë të ditur pak kohë më parë mediet britanike. Por ky zbulim më i fundit nga koleksioni me sa duket i pashtershëm i të dhënave të Edward Snowdenit solli shumë pak protesta në botë. "Ne kemi arritur një shkallë, në të cilën këto gjëra nuk na surprizojnë më. Ne reagojmë gjithnjë e më tepër të topitur", i thotë i Ngarkuari për Mbrojtjen e të Dhënave i Hamburgut, Johannes Caspar Deutsche Welles.

Ai kritikon: "Duket se politika nuk ka fare dëshirë, që t'i kufizojë mundësitë e përgjimit të shërbimeve të fshehta dhe që t'i kontrollojë shërbimet e fshehta me mjetet e shtetit juridik." Dhe kjo është ajo më shqetësuesja në zbulimet për veprimet e shërbimeve të fshehta amerikane, të cilat mbledhin prej vitesh në të gjithë botën të dhëna të komunikimit dhe i memorizojnë ato.

"SHBA ende nuk e pranojnë se çdo njeri ka të drejtë për sferë private", thotë Drejtori Ekzekutiv i Organizatës së të Drejtave të Njeriut, Human Rights Watch, Kenneth Roth, Deutsche Welles. Në këtë nuk ka ndryshuar asgjë, as pas fjalimit të Obamas. "Ai premtoi disa reforma, por problemi bazë, mungesa e respektit para së drejtës për sferë private vazhdon të ekzistojë."

Sfera private e eleminuar nga digjitalizimi

Organizata e të Drejtave të Njeriut, Human Rights Watch e akuzon qeverinë e SHBA se "e ka eleminuar në masë të konsiderueshme të drejtën për sferë private në një botë e cila varet nga komunikimi elektronik". Askush nuk e diskuton, që siguria nacionale e "qeverive nganjëherë e kërkon që të bëhen përgjime të caktuara, mbi bazën e dëshmive", shkruan HRW në raportin vjetor të vitit 2013. Vetëm fakti që një pjesë e madhe e të dhënave të internetit dhe të telefonëve celularë kryhet përmes firmave amerikane, nuk i jep qeverisë të drejtën që t'i akuzojë "qytetarët jo të SHBA jashtë SHBA, se nuk kanë interes të shpallur për të mbrojtur sferën private në komunikimin e tyre," u shpreh organizata e të drejtave të njeriut në raportin e saj, të publikuar të martën (21.01.2014) në Berlin.

Po çfarë ka mbetur private në epokën e komunikimit digjital global? Në rrjetet sociale, njerëzit i nxjerrin pa u merakosur të brendshmet jashtë. Në publik telefonohet gjithashtu përmes celularit për gjëra pa interes dhe intime. Zakonet e konsumit tregohen në internet. "Në epokën digjitale, sfera private nuk duhet kuptuar më shumë se një hapësirë e kufizuar për t'u tërhequr e individit", thotë mbrojtësi i të dhënave, Johannes Caspar. "Sfera private është e drejta e individit, për të vendosur se cilat të dhëna private ndan ai me të tjerët dhe se cilat të dhëna ai nuk dëshiron që t'i ndajë me të tjerët", shpjegon ai në intervistë me DW. Gjykata Kushtetuese Gjermane ka formuluar për këtë konceptin e "vetëvendosjes informative". "Është një çështje e zgjedhjes së lirë të individit, që t'i tregosh të dhënat apo t'i mbash këto të dhëna për vete."