1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëdija politike tek të rinjtë - Aktivitet në Tiranë me mbështetje gjermane

9 Tetor 2010

Në kuadër të veprimtarive për Tetorin Gjerman 2010, në Tiranë u zhvillua konkursi me temë “Kthimi në të ardhmen – nisja drejt një Europe të re”. Të rinjtë prezantuan ide të tyre mbi periudhën e tranzicionit demokratik.

Z. Jan Rudolph zv/ambasadori gjerman në Tiranë, gjatë aktivitetit “Kthimi në të ardhmen – nisja drejt një Europe të re”.
Z. Jan Rudolph zv/ambasadori gjerman në Tiranë, gjatë aktivitetit “Kthimi në të ardhmen – nisja drejt një Europe të re”.Fotografi: DW

Nxënës dhe studentë jo vetëm nga Tirana, por dhe nga Elbasani, Korça, Durrësi, Lezha, Rubiku, Shkodra i kishin shprehur idetë e tyre me gjuhën artistike. Duke ofruar vizatime, pllakate, karikatura, animacione, spote, filma me metrazh të shkurtër, punime në publicistikë etj. Nga rreth 275 e vetë që aplikuan për të marrë pjesë në këtë veprimtari, rreth 25 prej tyre kaluan në fazën finale duke pretenduar për çmimet: ose për të marrë pjesë në një aktivitet rinor në Gjermani, ose për të fituar bursë për mësimin e gjuhës gjermane pranë Deutschzentrum –Tirana.

Pjesëmarrës në aktivitetin “Kthimi në të ardhmen – nisja drejt një Europe të re”.Fotografi: DW

Benet Nelku, ishte njëri prej fituesve në konkurs. Ai ka mbaruar shkollën e mesme dhe për konkursin prezantoi një dokumentar, ku në qendër ishin bashkëmoshatarët e tij, hapësirat që ka në shoqërinë shqiptare për të rinjtë. Beneti, thotë se realizmi i dokumentarit nuk ishte rastësi.

“Unë po përpiqem të fitoj një shkollë në Poloni, të studioj për regji dhe të bëj filma”.

Fitues tjetër ishte dhe Nertil Balliu që studion në vitin e dytë në shkencat e komunikimit. Ai konkuroi në zhanrin e fotografisë duke sjellë, dy pamje që në vetvete përbëjnë një problem social për qytetarët në Tiranë.

“Në njërën prej fotove tregohet një rrugicë ku shtyllat e telave elektrikë janë në mes të rrugës. Tjetra është nga Qendra Spitalore Universitare ku tregohen shkrime nëpër mure ‘Echo' dhe ‘Bare', por që nuk të çojnë asgjëkundi”.

Klodiana Çollaku, përfaqësuese e CEAPAL-it.Fotografi: DW

Sa janë të pregatitur të rinjtë për të qenë pjesë aktive e zhvillimeve politike?

Organizatore e konkursit ishte CEAPAL, “Qendra shqiptare për edukim politik dhe mediatik të të rinjve”. Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte që të monitoronte dhe të maste se sa janë përcjellë nga të rinjtë vlerat e shoqërisë, sa dhe si janë të përgatitur ata për t'i bartur e përcjellë në breza të tjerë, thotë Klodiana Çollaku, përfaqësuese e CEAPAL-it.

Nertila Mosko, nga fondacioni gjerman “Hans Seidel” në Shqipëri.Fotografi: DW

“Se si e kanë përjetuar demokracinë, se si janë perceptuar nga ata të gjitha ndryshimet demokratike që kanë ndodhur në Shqipëri, por dhe sa të përgatitur janë që të jenë pjesë aktive e politikës shqiptare, e politikbërjes dhe lidershipit që do të çojë përpara vendin dhe do të jetë pjesë e zhvillimeve të mëvonshme të politikës shqiptare”.

Rinia në fokus

Nertila Mosko, nga fondacioni gjerman “Hans Seidel” në Shqipëri, thotë se mbështetja për këtë veprimtari u dha, sepse ishte brenda linjës së punës së fondacionit. Ne kemi në fokus edukimin politik të qytetarëve, thotë ajo.

“Me anë të këtij edukimi politik, demokratik, në shërbim të paqes dhe zhvillimit i mundësohet qytetarëve të shoqërisë së hapur të marrin pjesë me sa më shumë dije në procesin e zhvillimit të demokracisë. Dhe në fokusin e punës tonë është edhe rinia, për t'i mundësuar asaj pjesëmarrje sa më aktive në jetën politike dhe shoqërore të vendit”.

Përveç fondacionit “Hans Seidel” këtë aktivitet e mbështeti edhe Instituti “Gëte”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani