Burnout Profisport
28 Shtator 2011
Burnout dhe depresionet janë ende tema tabu mes sportistëve profesionistë, megjithëse sipas ekspertëve, një numër i konsiderueshëm lojtarësh kërkojnë pas dyerve të mbyllura ndihmën e mjekëve. Për dëmtimet fizike të trupit jepen infomacione në mënyrë transparente. Kurse plagosjet e shpirtit vazhdojnë të mbeten tabu, kritikon psikiatri dhe terapisti nga Këlni, Valentin Markser: „Ne kemi nevojë të madhe informimi dhe sqarimi për njohjen e hershme të sëmundjeve shpirtërore dhe trajtimin e tyre, si dhe për trajtimet që i bëjnë kësaj teme trajnerët, klubet dhe shoqatat.“
Në fokus të publikut
Valentin Markser ka patur dikur si pacientë ish portierin e kombëtares gjermane Robert Enke, i cili vuante nga depresione të rënda dhe në vitin 2009 vrau veten. Gati dy vjet më vonë, publiku mësoi se trajneri i Shalkes, Ralf Rangnick pësoi sindromën burnout, gjë që solli sërish në fokus sëmundjet psikike të sportistëve profesionistë.
Diskutimi aktual bën mirë. Ai ka të bëjë me çtaubuizimin e tematikës, thotë psikologu i sportit Manfred Wegner: „Tabutë po largohen gradualisht. Menaxherët e klubeve të sportistëve profesionistë duhet ta kenë të qartë se burnout mund të shërohet, po ashtu si dhe depresionet."
Rasti i Ralf Rangnick-ut është vetëm maja e ajsbergut, dhe këtë e dinë të gjithë ata që janë pjesë e bizneseve me futbollin. Pas hapit të guximshëm të trajnerit të Shalkes, janë rritur shpresat për sensibilizimin e ndërgjegjes publike. Ekspertët premtojnë për dhënie sinjalesh të duhura. „Unë shpresoj që Rangnick të vazhdojë të qëndrojë në treg, në mënyrë që menaxherëve të klubeve tu jepet sinjali se problemi i tij ishte i përkohshëm“, thotë Manfred Wegner dhe shton: „Ne të gjithëve mund të na ndodhë një gjë e tillë. Burnout mund të shërohet dhe shanci për kthim duhet dhënë patjetër.“
Tabuja e fundit
Në sport kanë rënë disa prej tabuve të fundit, vesi i lojrave, konsumi i drograve, dopingu, për të gjitha këto është folur ndërkohë. Tani duket se sporti po merret me një nga tabutë e fundit, sëmundjes psiqike.
Shumë trajnerë ose lojtarë profesionistë nuk pranojnë të hapen, sepse kanë frikë sepse pas kësaj do të stigmatizohen se nuk do të jenë më në gjendje të durojnë ngarkesat dhe nuk mund të gjejnë më klube që t'i punësojë. Manfred Wegner shikon në rastin Rangnick sinjalet e ndryshimeve në Gjermani. Loja fshehurazi në sport mund të marrë fund, vetëm nëse sportistën nuk tremben se do të kenë pasoja, thekson ai.
„Publiku nuk është ende i përgatitur sa duhet, po ashtu si dhe kryesitë e klubeve, që të trajtojnë si duhet rastet. Ekziston frika për sportistët e mirë që të flasin hapur sepse shtypi dhe publiku nuk janë të përgatitur sa duhet“, mendon Wegner.
Përvojë e keqe me „Outing“
Futbollisti profesionist Andreas Biermann ka patur përvojë të keqe me sinqeritetin e tij. Ish lojtari i Union Berlin-it dhe Klubit sportit St. Pauli i prekur nga vetëvrasja e Robert Enkes pranoi më 20 nëntor 2009 se ka patur depresione, përpjekje vetëvrasjeje dhe se është trajtuar në spital. Kështu ai humbi vendin e punës.
„Nëse flitet hapur për problemet shpirtërore, ashtu si për ngrirjen e muskujve, atëherë ne e dimë se ato diçka ka ndryshuar“, mendon psikiatri Valentin Markser.
Sportistë "të mbaruar"
Vitet e fundit në Gjermani ka patur disa sportistë shumë të mirë që kanë marrë fund. Sven Hannawald, skiator që fitoi të gjitha garat, u sëmur në vitin 2004 me sindromën burnout. Në janar 2007 dorëheqja e ish lojtarit të kombëtares Sebastian Deisler, zgjoi vëmendjen e publikut kur bëri të njohura simptomat që kanë qenë të njohura vetëm për mënaxherët. Jan Ullrich, fituesi gjerman i Tour de France u trajtua në vitin 2010 nga burnout.
Autor: Srecko Matic/ Aida Cama
Redaktoi: Elert Ajazaj