Viktima të dhunës mes Izraelit dhe palestinezëve janë shpesh fëmijët
27 Dhjetor 2004Muhamedi është 7 vjeç. Si shumica e fëmijëve në Rripin e Gazës edhe ai vuan nga mungesa e ushqimit. Me trup ai tregon dorën, ku ende duken gjurmët e plagës së shkaktuar nga cifla e një granate, e cila e plagosi gjatë orës së fizkulturës në oborrin e shkollës. "Mësuesi na nxori në oborr për orën e fizkulturës, por sapo dolëm aty plasi një granatë." - tregon ai.
Shkolla e Muhamendit gjendet në periferi të kampit të refugjatëve Kan Junis, direkt pranë ngulimit izraelit Gush Katif. Në këtë zonë ka gjithnjë incidente dhe shkëmbime zjarri mes palestinezëve militantë dhe ushtarëve izraelitë. Dhe gjatë këtyre përleshjeve gjithmonë plagosen apo madje vriten edhe fëmijë. Që prej plagosjes nga bomba Muhamedi sheh ëndërra të këqia dhe ka frikë, thotë babai i tij Osama: "Edhe kur është i lodhur nuk e zë gjumi natën. Ka frikë dhe më thotë gjithmonë që ta çoj dhe ta marr unë nga shkolla. Ai nuk do të shkojë më në shkollë, sepse ka frikë se mos vdesë".
Nxënësja e kësaj shkolle, 7-vjeçarja Rana Sijam, u vra në fillim të dhjetorit prej një plumbi, kur po hante drekë dhe fëmijët janë tepër të trëmbur prej të shtënave me armë dhe shkëmbimeve të zjarrit.
Nëna e Muhamentit Hala, thotë se ata mundohen t'i qetësojnë fëmijët, duke u thënë se nesër do të bëhet më mirë, por në fakt duan të largohen nga ky vend. Po ku të shkojë Osama dhe e shoqja Hala me gjashtë fëmijët e tyre? Ata nuk kanë aq para sa të mund të transferohen në një zonë tjetër. Po ashtu, sikurse thotë Hala, në Rripin e Gazës është kudo me rrezik.
Hala është 29 vjeç. Një grua shumë e bukur dhe e zgjuar. Ajo përpiqet që megjithë dhunën që sundon kudo t'u japë fëmijëve ndjenjën e përkujdesjes dhe ngrohtësisë. "Ajo që dëshirojmë dhe ëndërrojmë për fëmijët tanë, është një e ardhme në siguri dhe fat." - thotë ajo.
Hala shpreson që trupat izraelite të tërhiqen prej Rripit të Gazës gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që jeta e familjes së saj të bëhet më e sigurt. I shoqi Osama i ka varur shpresat një herë për një herë tek zgjedhjet e ardhshme presidenciale. "Ne kemi besim tek zgjedhjet dhe se izraelitët do t'i japin fund pushtimit të Gazës dhe do t'i largojnë ngulimet e tyre." - thotë ai.