1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Edhe në Gjermani ndeshje pa shikues

11 Mars 2020

Për shkak të krizës me virusin Corona në Gjermani është vendosur që disa ndeshje të zhvillohen pa shikues. Çfarë do të thotë kjo për shikuesit dhe klubet?

Italien Seria A Geisterspiel Coronavirus Parma-Spal,
Fotografi: picture-alliance/Zuma/P. Cruciatti

Disa ndeshje të futbollit, basketbollit, hokejit mbi akull... do të zhvillohen pa shikues. Po kush vendos nëse ndeshjet zhvillohen pa shikues?

Vendimin e fundit nëse një ndeshje do të mbahet pa shikues, duhet ta marrin entet e shëndetit në qytete ku mbahen ndeshjet. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn ka sugjeruar që të ndalohen manifestimet ku mblidhen apo pritet të mblidhen më shumë se 1000 persona. Tani janë në rend autoritetet vendore të cilat duhet të marrin vendime. "Në fakt ky është një rregull që duhet të respektohet", thotë ministri i Shëndetësisë në landin Renania Veriore-Vestfalia. "Ne mendojmë se kjo duhet të ndodhë. Pas sugjerimit të ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, edhe ne e kemi më lehtë të marrim vendim." Klubet përfshihen në procesin e vendimmmarrjes, por Liga e Futbollit e ka bërë të qartë që në fillim, se vendimet janë në duart e enteve shëndetësore.

A ka pasur edhe përpara ndeshje pa shikues?

Fotografi: picture-alliance/Zuma/T. Pecoraro

Jo, vetëm në Ligën e Dytë apo në ligat më të ulëta ka pasur ndeshje që janë zhvilluar pa prezencën e publikut. Ndeshja e parë pa shikues në futbollin profesionist në Gjermani është mbajtur me 26 janar 2004 në Aachen, mes ekipeve Alemannia dhe 1. FC Nürnberg. Liga Gjermane e Futbollit  (DFL) ka kërkuar që kjo ndeshje të zhvillohet pa shikues, për shkak të incidenteve në një ndeshje më parë, kur u qëllua në kokë trajneri i FC Nürnberg Wolfgang Wolf. Ndërkohë që ndeshja e fundit pa shikues është mbajtur në Ligën e Tretë, me 28 janar 2017, mes ekipeve Hansa Rostock dhe Jahn Regensburg. Kjo për shkak të denimit ndaj Hansa Rostock, për shkak të incidenteve të shikuesve. Tani është hera e parë që ndeshjet do të zhvillohen pa shikues edhe në Ligën e Parë, për shkaqe mjekësore.

Pse nuk shtyhen ndeshjet për më vonë?

"Ekzistojnë kontrata dhe pasoja sportive. Rëniet nga liga dhe futjet në liga. Ne kemi nevojë që ndeshjet të zhvillohen me kohë. Anulimi i ndeshjeve nuk është ndonjë opsion", thotë shefi i DFL Christian Seifert. Në fakt, terminet e ndeshjeve janë shumë të ngjeshura në Bundesligë, që është parë edhe në rastin e kërkimit të një termini tjetër për ndeshjen mes Werder Bremen dhe Eintracht Frankfurt. Është e mundur madje që kjo ndeshje të shtyhet për maj, në qoftë se Frankfurti vazhdon të jetë i suksesshëm në Ligën e Evropës. Një opsion i mirë nuk është as zgjatja e kampionatit, për shkak të Kampionatit Evropian, i cili fillon 12 qershor. Kuptohet nëse ky Kampionat nuk shtyhet për shkak të rrezikut nga virusi Korona.

Sa para fitojnë klubet nëse ndeshjet mbahen pa shikues?

Fotografi: picture-alliance/Zuma/P. Cruciatti

Gjatë kampionatit të kaluar në Bundesligë, nga shitja e biletave janë fituar 520,1 milionë Euro, pra rreth 8% të parave të qarkulluara në vlerë prej 4,02 miliardë Euro. Mesatarisht brenda një gjiroje janë fituar pra rreth 15 milionë Euro, që do të thotë se mesatarisht për një ndeshje (nëse stadiumet do të ishin me kapacitete të njëjta) janë mbledhur rreth 1,7 milionë Euro vetëm nga biletat. Por stadiumet dallojnë, sepse Arena në Dortmund ka kapacitet prej 81.365 vendeve, ndërsa stadiumi më i vogël i Bundesligës në Paderborn zë vetëm 15.000 shikues. Ndaj edhe humbjet janë të ndryshme, që do thotë se edhe kompenzimi duhet të jetë proporcional. Në humbje duhet llogaritur edhe shitjet në stadium të rekuizitave për shikues si dhe nga reklamat në stadium.

Çfarë ndodhë me ata që kanë blerë biletat?

BVB Dortmund është ekipi i vetëm nga 18 skuadrat e Bundesligës së Parë që nuk obligohet t'i kthejë biletat në rast të një ndeshje pa shikues. Në rregullat e këtij klubi thuhet se parimisht nuk kthehen paratë për biletat e blera. Por edhe kjo skuadër ka bërë të ditur se do të kërkojë gjetjen e ndonjë zgjidhjeje. Të gjitha klubet tjera i kthejnë paratë për biletat e shitura, në rast të ndonjë ndeshje pa shikues, gjashtë prej tyre ofrojnë ndonjë mundësi kompensimi në materiale nga shitoret e klubit.