1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e Dalai Lamës në Gjermani shqetëson kinezët

Ruth Kirchner23 Shtator 2007

Kreu fetar i tibetianëve do të takohet të djelën në mbrëmje në Berlin me kancelaren Angela Merkel për një "këmbim mendimesh privatisht". Merkel është kështu kancelarja e parë gjermane, që pret Dalai Lamën.

Dalai Lama i dhuron Kancelares Merkel shallin e tij të paqes 17 qershor 2005
Dalai Lama i dhuron Kancelares Merkel shallin e tij të paqes 17 qershor 2005Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndërsa në Gjermani Dalai Lamën e presin si të ishte ylli i muzikës pop, në Pekin ai është "person i padëshirueshëm". Takimi i Angela Merkelit me Dalai Lamën është për kinezët baraz me pëlhurën e kuqe për demin. Një nga njohësit më të mirë të Gjermanisë në Akademinë e Shkencave Shoqërore në Pekin i ka dërguar kancelares një letër, ku i kërkon që ta anulojë takimin. Profesor Liu Liqun ka thënë se Merkel tregohet e papërgjegjshme duke pritur Dalai Lamën: "Unë i kam numëruar në letër zonjës Merkel edhe pasojat e mundshme, dhe se emri që gëzon Gjermania në Kinë dhe marrëdhëniet gjermano kinezë do të dëmtoheshin shumë". Profesor Liu nuk përjashtoi mundësinë që si pasojë e këtij takimi të anuloheshin projekte gjermano-kineze.

Dalai Lama flet në Universitetin e Muenster-it, pasi merr titullin e d Doktorit të NderitFotografi: AP

Të shqetësuar janë edhe biznesmenët gjermanë në Kinë. Takimi me Dalai Lamën "nuk është shumë i dobishëm" për ekonominë, thonë ata nën zë. Qeveria në Pekin e ka dënuar disa herë vizitën e kreut fetar të budistëve tibetiane në Gjermani. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Jian Yu, tha se Dalai Lama nuk është një figurë e mirëfilltë fetare. "Ai është një figurë politike dhe në emër të fesë përpiqet ta përçajë atdheun. Ai nuk është vetëm, por përfaqëson forcat separatiste. Ne këtë e hedhim poshtë. Përveç kësaj, ne hedhim poshtë faktin, që disa shtete e shfrytëzojnë veprimtarinë e tij për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës."

Edhe nëpër faqet kineze të internetit, të cilat normalisht janë rreptësisht të cenzuruara, njerëzit lejohen të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj takimit në Berlin. "Ky takim tregon se sa të korruptuar janë gjermanët", thuhet në njërin nga komentet. Në një tjetër thuhet thjesht: "Turp për Gjermaninë!" Professor Liu thotë se kinezët ndjehen "të ofenduar" nga ky takim. As një muaj nuk ka kaluar që kur kreu i Pekinit e priti Merkelin krahëhapur. Prandaj edhe takimi aktual është veçanërisht lëndues. Për profesor Liun takimi me Dalai Lamën nuk është me karakter privat, siç është thënë nga qeveria gjermane: "Kancelarja gjermane në detyrë mund të jetë gjithçka tjetër, por jo person i mirëfilltë privat", thotë ai.

Ministria e jashtme kineze kishte porositur qysh një javë më parë ambasadorin gjerman në Pekin, Mihael Shefer, për të protestuar kundër takimit. Merkel nuk ndryshoi qendrim. Të shtunën Kina anuloi një takim të paraparë në Mynih me ministren gjermane të drejtësisë, Brigitte Cypries. "Për shkaqe teknike" u bë e ditur nga pala kineze, vizita e Dalai Lamës nuk përmendej. Takimi mes Merkelit dhe nobelistit të paqes do të zgjasë gati një orë.

Angela Merkel në Akademinë e shkencave sociale në Pekin 28.08.2007Fotografi: picture-alliance/ dpa
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW