Vizita e Papës në Turqi tepër e suksesshme
1 Dhjetor 2006![Papa në Xhaminë Blu](https://static.dw.com/image/2256012_800.webp)
Vizita në Turqi ishte për Papën prova e parë e zjarrit në arenën ndërkombëtare. Shkak dhe pika kulmore e saj qenë ceremonitë e përbashkëta fetare me përfaqësuesit e fesë ortodokse. Por kriza diplomatike që ishte shkaktuar pas fjalimit të Papës në Regensburg në lidhje me fenë islame, ishte një barrë në prag të përgatitjeve për këtë vizitë. Edhe pse Papa ka kohë që pas kësaj e ka shprehur vazhdimisht respektin e tij për fenë islame, bota islame do ta ndiqte me vëmendje vizitën e Papës në Turqi, për të konstatuar nëse ajo do të shoqërohej edhe nga ndonjë fije kritike ndaj fesë islame.
Por Papa intelektual, i cili e ka më të lehtë të jetë prefesor se sa politikan, ishte përgatitur kësaj here më mirë, dhe ishte ndoshta më i kujdesshëm. Në takimet e tij në Turqi u prekën si tema politike edhe fetare. Në dialogun me fetë e tjera kjo vizitë e Papës duket se është në favor të afrimit me fenë islame.
Vizita në favor të fesë islame
Benedikti ishte Papa i dytë në histori që hyri në një xhami. Në xhaminë blu në Stamboll. Papa u fal dhe me gjestet e tjera simbolike do të mbahet mend në kujtesën e shumë njerëzve. Diplomatike ishin edhe gjestet e tjera të tij. Gjatë bisedës me kryeministrin turk Erdogan ai e fshehu kryqin që mban në qafë, dhe duke shkruar në librin e vizitorëve në muzeum e Ataturkut, ai përdori një citat të këtij të fundit.
Edhe fjalët që tha Papa ishin fjalë pajtimi, ato bënë thirrje për dialog dhe mirëkuptim mes të krishterëve dhe myslimanëve. Papa e quajti Turqinë një pikë takimi të feve dhe të kulturave, një urë mes Evropës dhe Azisë. Përmes kësaj Papa theksoi se islamizimi turk mund të luajë një funksion lidhës me fenë islame që praktikohet në vendet arabe.
Katolicizmi dhe ortodoksia duhet të jenë në unitet
Pika kulmore e vizitës së Papës qe takimi me kryepatrikaun e kishës ortodokse greke dhe asaj botërore Bartolomeun. Papa dha që në fillim të takimit të kuptohej se feja katolike dhe ortodoksia në botë duhet të jenë në unitet. Me kishën ortodokse kisha katolike ka lidhje shumë më të ngushta se sa me atë protestante, megjithë ndarjen prej mëse 1000 vjetësh.
Por ajo që është ndarë prej 1000 vjetësh nuk ngjizet dot sërish me kaq lehtësi. Dhe deklaratat e Papës dhe të patriarkut ishin më tepër deklarata për qëllimet e mira që kanë që të dy për t'i dhënë fund ndarjes së kishës dhe për t'u anagzhuar bashkarisht në Evropë për vlerat kristiane, të drejtat e njeriut, lirinë e feve dhe mbrojtjen e pakicave.
Sukses i vërtetë do të ishte arritur në rast se do të realizohej një takim edhe me patriarkun rus, Aleksin. Këtë qëllim i kishte caktuar vetes edhe paraardhësi i Benediktit, Papa Gjon Pali i II, por ai nuk pati mundësi ta realizonte.
Edhe pse vizita e Papës do t'i çojë më tej lidhjet me ortodoksinë, rruga drejt një bashkimi është ende e gjatë. Në lidhje me fenë islame Benedikti bëri një hap të rëndëdishëm drejt afrimit dhe vizita në Turqi mund të konsiderohet si sukses i plotë.