1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e papritur e Bushit në Irak - gjest i mbështetjes dhe vazhdimësisë

Daniel Sheshkevitc14 Qershor 2006

Ishte një vizitë spektakulare, e paparalajmëruar, bile vetë kryeministri El Maliki mori vesh për të, vetëm pesë minuta para ardhjes së Bushit

Xhorxh Bush dhe kryeministri irakian El Maliki
Xhorxh Bush dhe kryeministri irakian El MalikiFotografi: AP

Vizita e papritur e Bushit në Bagdat ishte një gjest. Një gjest, i cili duhet të përcjellë mbështetjen dhe vazhdimësinë në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në rritje dyshimi për angazhimin në Irak. Presidenti Bush nuk mund të rizgjedhet më por megjithatë rezultatet e këqija të anketimeve duhet ta brengosin atë. Partia e tij republikane kërcënohet që të humbasë shumicën e saj në kongres, andaj bën presion ndaj presidentit që të tërheqë hap pas hapi ushtarët nga Iraku.

Bush deri tani i është kundërvënë këtij presioni dhe dëshiron që vendime të tilla të merren nga ushtarakët. Ata ka kohë kohë që kanë filluar me planet për tërheqje. Gjenerali Casey, komandanti i përgjithshëm i trupave të stacionuara në Irak paralajmëroi në fillimjavë se nuk sheh asnjë problem në pakësimin e trupave për 30 mijë ushtarë gjatë muajëve të ardhshëm. Dhe këshilltari irakian për siguri Al Rubai shkoi edhe më larg se gjenerali amerikan duke paraparë se në vitin 2008 në Irak nuk do të ketë më ushtarë të huaj.

Prej nga vjen ky optimizëm? Krijimi i qeverisë së re në Bagdat në të cilën për herë të parë janë përfshirë shumë shtresa të popullsisë si dhe vdekja e El Sarkavit me siguri që ofrojnë shpresë. Edhe pse pasardhësi i Sarkavit do të provojë të vazhdojë me terrorizëm, vrasja e Sarkavit është një sukses i rëndësishëm psikologjik. Kjo u tregon forcave irakiane të sigurimit se mund të dalin fitimtare në luftë kundër terrorizmit dhe kryengritësve.