1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vjenë: Karate në vend të xhihadit

4 Janar 2018

Kickboks apo karate kundër urrejtjes dhe fanatizmit - tingëllon si paradoks, por nuk është i tillë - të paktën sipas OJQ-së austriake "Not in God´s Name".

SV Zukunft Dominik Haselbeck
Fotografi: Matt Zuvela

Anëtarët e nismës "Not in God´s Name" (Jo në emër të Zotit)  janë sportistë të njohur, shumica e tyre myslimanë dhe duan të jenë shembull për të rinjtë. Ata i nisën aktivitetet e tyre pak kohë pas sulmeve ndaj redaksisë së Charlie Hebdo në fillim të vitit 2015.

"Sportet luftarake për fëmijët i bëjnë ata të mësohen të mos dorëzohen në jetë, të bëhen këmbëngulës. Pra që gjithmonë kur të kenë një qëllim ta realizojnë atë." - thotë kikboksieri Karim Mabrouk, një nga themeluesit e OJQ-së. Kush ka një perspektivë dhe ka me se të merret, p.sh. me stëvitje, nuk ka kohë të dëgjojë ekstremistët, mendon ai. 24-vjeçari Karim është shpallur disa herë kampion i Austrisë në kikboks dhe ka zhvilluar ndeshje në mbarë Europën. 

Fotografi: Fotolia/Kzenon

Islamistët preferojnë të rekrutojnë pasardhës nga radhët e të rinjve që merren me sporte luftarake. Pikërisht këtu është fokusuar edhe nisma "Not in God´s Name". Ata kanë postuar edhe video në interent. Ndër të tjera në video thuhet: "Në ring ti duhet të japësh gjithçka, të jesh agresiv. Por më pas, ne jemi si vëllezër, pavarësisht, nëse përballë meje ndodhet një hebre, një i krishterë apo një mysliman. Ne e respektojmë njeri-tjetrin jashtë ringut. Nëse predikuesi do të ta mbushë mendjen, se nuk mund të arrish asgjë këtu në Austri, atëherë duhet ta dish, se këtu ka një komunitet. Ti ke vendin tënd këtu."

Fotografi: Fotolia/Peter Atkins

Anëtarët e nismës "Not in God´s Name" shkojnë dhe zhvillojnë takime edhe me nxënësit në shkolla. Aty ata diskutojnë për sulmet terroriste islamiste. "Asnjë mysliman nuk duhet të bëjë sulme të tilla, pavarësisht nga prejardhja. Asnjë i pafajshëm nuk duhet vrarë." - u thotë kikboksieri Karim Mabrouk nxënësve.

"Unë përpiqem të kontribuoj me më të mirën duke dhënë shembullin pozitiv për një mysliman." -thotë Karimin që është me origjinë nga Egjipti. Për të besimi është shumë i rëndësishëm dhe si mysliman që praktikon fenë ai lutet pesë herë në ditë.

Por ndonëse ai vetë ka lindur në Vjenë, ai vëren se po bëhet e vështirë të jetosh si mysliman në Austri. "Qëkurse isha i vogël e ndjeja se më ngacmonin apo më shihnin shtrembër për faktin se isha mysliman. Tani kam frikë se mund të bëhet edhe më keq." - thotë Karimi.