Osmani në Tiranë: Nuk duhet lejuar destabilizimi i Ballkanit
4 Shtator 2023Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi në Tiranë se Serbia synon të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, (BP) përmes një plani të tillë që ajo e përshkroi si ai që „përdori Rusia në Ukrainë në 2014 -ën". Osmani e akuzoi Serbinë se „po fut në mënyrë ilegale armë në Kosovë për të krijuar probleme."
Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, ajo nisi të hënën, (04.09), një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Begaj, të mbajtur ditën e parë të vizitës, Presidentja Osmani u bëri thirrje shteteve demokratike të rajonit „të mos lejojnë që ky plan të zbatohet". Ajo e cilësoi planin në fjalë, "plan të Putinit".
„Serbia po fut armë në mënyrë ilegale në veri të Kosovës. I terrorizon dhe intimidon qytetarët në veri. Kjo është sfidë për Rajonin. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiçi në Ballkan”, theksoi Presidentja Osmani në Tiranë. Ajo solli në vëmendje sesi nisi konflikti në Donbas ndërmjet separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase dhe sesi u aneksua Krimeja nga Moska.
Në këtë kontekst ajo tha që "acarimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk e ka burimin nga situata në Veri të Kosovës por nga Serbia.
"Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që dikush nga Serbia të mos gjuaje me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar kështu me përpikëri planin që presidenti rus, Putin zbatoi në 2014-ën kundër Ukrainës. Vuçiç dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë BP” tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp.
Presidentja e Kosovës, Osmani theksoi se qëllimi i destabilizimit të BP është "atakimi i vlerave dhe i sistemit të vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE dhe NATO”.
Presidenti Begaj: Shqipëria dhe Kosova - faktorë stabiliteti në rajon.
Presidenti Begaj i cilësoi "strategjike marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. "Karakteri strategjik i marrëdhënieve midis dy shteteve tona, është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit, ” theksoi ai në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ai vuri në dukje që "në kuadër të bashkëpunimit rajonal Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten vende kontribuuese të rëndësishme, për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm”.
Lidhur me situatën në veri të Kosovës Presidenti Begaj theksoi se "duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesorë, SHBA dhe BE.”
"Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshi OKB” tha ai.
Aspirata e përbashkët për anëtarësim në BE
Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, presidentja e Kosovës, Osmani, zhvilloi një bisedë kokë më kokë, pa praninë e mediave, me kryeministrin Edi Rama.
"Kemi diskutuar rreth aspiratës së përbashkët europiane të Kosovës dhe Shqipërisë,” theksoi Presidentja Osmani median sociale. Kryeministri Rama e cilësoi bisedën me Presidenten Osmani " për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënies së patjetërsueshme Kosovë-Shqipëri.”