Vollebek në Prishtinë: të drejtat e pakicave ende nuk respektohen plotësisht
14 Janar 2008Komisioneri i lartë i OSBE-së, për të drejtat e pakicave, Knut Vollebek, deklaroi në Prishtinë, se krahasuar më vitet e para të pasluftës, situata me të drejtat e pakicave ka shënuar përparim, mirëpo, nuk mund të thuhet se të drejtat e tyre respektohen plotësisht. Udhëheqësit politik kosovar e kanë siguruar ambasadorin Knut Vollebek, se Kosova do të jetë shembull për shumë vende se si duhet respektuar të drejtat e pakicave.
Vollebek viziton disa enklave serbe
Ambasadori, Knut Vollebek, gjatë vizitës në Kosovë vizitoi disa enklave serbe në Kosovën qëndrore dhe jugore. Ai theksoi: "Nuk ka dyshim, se në enklavet serbe në Kosovsn jugore ende ka shumë shqetësime për të drejtat e pakicave, por unë dëshiroj t´u besojë deklaratave të udhëheqësve politik kosovar, sidomos atyre të kryeministrit Hashim Thaçi, se për pakicat në Kosovë do të ketë kujdes të veçantë".
Thaçi: jo vetëm fjalë për të drejtat e pakicave por edhe punë në terren
Kryeministri Hashim Thaçi, nga ana e tij, thotë se Kosova në aspektin ligjor, mund të jetë model i shumë vendeve se si duhet rregulluar çështja e të drejtave të pakicave, ndërsa, ai premton se kështu do të veprohet edhe në praktikë. "Siguria për të ardhmen e sukseshme të Kosovës është respektimi dhe garantimi i të drejtave të pakicave. Prandaj, qasja ime e ndryshme do të jetë ajo që jo vetëm do të flas për të drejtat e pakicave, por do të punoj në terren, do të vizitoj rajonet e banuara me pakica dhe do të fillojë të zgjidhë problemet që ata kanë", thotë kryeministri, Hashim Thaçi.
Parlamenti i Kosovës, tashmë ka miratuar disa ligje që kanë të bëjnë vetëm me të dejtat e pakicave në mënyrë të vecantë të asaj serbe. Një ndër to është edhe gjuha serbe që tashmë është gjuhë zyrtare në Kosovë.